Tedi Blushi premton lirimin e të burgosurve pas 11 majit: Na votoni ne, t'u nxjerrim jashtë burgut

5 Maj 2025, 11:49 / POLITIKË ALFA PRESS

Tedi Blushi premton lirimin e të burgosurve pas 11 majit: Na votoni ne,

Partia e Lirisë ka denoncuar gjendjen në burgjet shqiptare, ku sipas tij, abuzimi me paraburgimin ua kalon edhe vendeve më diktatoriale afrikane.

Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i partisë Tedi Blushi theksoi se mbi 2/3 e personave të ndaluar janë në paraburgim, shumë prej tyre pa akuzë konkrete. 

Sipas tij, kushtet e qëndrimit janë jashtë standardeve në një shtet që aspiron standardet europiane.

"Gati 2/3 e qytetarëve, që janë sot në burgje, janë të paraburgosur dhe mbi 1/3 e tyre pa asnjë akuzë. Nëse mesatarja në vendet e Bashkimit Europian, është 22–25% e totalit të popullsisë në burgje, në Shqipëri, kjo mesatare është gati 3 herë më e lartë, duke sjellë një mbipopullim të theksuar dhe kushte skandaloze.

Numri ekstremisht i lartë i të paraburgosurve, është një nga treguesit më demaskues të regjimit policor dhe arbitrar të Edi Ramës, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe standardeve europiane të drejtësisë.

Ky fakt konstatohet edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, Amnesty International, dhe vetë raportimet e Avokatit të Popullit në Shqipëri, denoncojnë mbipopullimin e burgjeve, kushtet çnjerëzore sidomos për të paraburgosurit, mungesën e kujdesit shëndetësor, dhunën, abuzimin dhe keqtrajtimin fizik, si dhe mungesën e aktiviteteve rehabilituese.

Numri tepër i lartë i të paraburgosurve në Shqipëri, dëshmon hapur abuzimin me paraburgimin, që përdoret si mjet penal përpara se të ketë vendim gjykate, gjë që e bën inekzistent parimin e pafajësisë deri sa të provohet faji.

Jo vetëm qytetarët në paraburgim dhe ata që vuajnë dënime penale, por edhe vetë punonjësit e burgjeve rezultojnë të jenë viktima të një diskriminimi dhe keqtrajtimi shtetëror. Niveli i pagave është shumë i ulët dhe punonjësit që nisin punën në këtë institucion paguhen pothuajse në kufijtë e pagës minimale", tha ai.

Blushi paralajmëroi një plan të gjerë amnistie pas 11 majit, me ndryshime në Kodin Penal dhe me hetime në liri për qindra qytetarë të ndaluar padrejtësisht, ndërsa burgjet, sipas tij, do të hapen për kriminelët elektoralë dhe jo për qytetarët e pafajshëm.

Vetëm duke votuar për “Aleancën për Shqipërinë Madhështore”, Shqipëria do të përmbushi standardet europiane të të drejtave të njeriut dhe do të garantojë një sistem të drejtë dhe human të drejtësisë penale. Me fitoren e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” më 11 Maj, ne do të rishikojmë Kodin Penal, në përputhje me standardet europiane dhe qindra të paraburgosur, do të hetohen në liri, për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë shtetit represiv. 

Ne do të miratojë një plan amnistie, ku do të përfshihen një kategori e gjerë veprash penale, por edhe për personat që kanë vuajtur burgime të gjata dhe që rehabilitimi i tyre tashmë është arritur. Nuk do ketë më zvarritje të proceseve hetimore dhe gjyqësore. Ndërkohë në burgje, me prioritet, do të vijnë kriminelët elektoralë, që nga ata të dosjes që fle të Dibrës dhe deri te këta të zgjedhjeve të 11 Majit", tha ai.

 

ide