Pankarta që tronditi skenën e Eurovisionit pas performancës së Serbisë

16 Maj 2025, 14:53 / SHOWBIZ ALFA PRESS

Pankarta që tronditi skenën e Eurovisionit pas performancës

Në një natë që supozohej të ishte festë për muzikën, politika bëri sërish hyrjen e saj të heshtur, por të fuqishme. Pas performancës së Princ – përfaqësuesit të Serbisë në natën e dytë gjysmëfinale të Eurovision 2025 – kamerat kapën një pankartë në publik që nuk kaloi pa u vënë re: “Duart tuaja janë të përgjakura”, shkruar me të zeza mbi një sfond të bardhë, shoqëruar nga një gjurmë dore me ngjyrë të kuqe të ndezur.

Për shumicën, kjo ishte një referencë e qartë ndaj protestave studentore që kanë tronditur Serbinë prej muajsh, ku kjo “dorë e kuqe” është kthyer në simbol të rezistencës ndaj shtypjes dhe padrejtësive. Por për të tjerë – veçanërisht nga rajoni i Ballkanit – mesazhi mori një tjetër kuptim, më të thellë dhe më të dhimbshëm: një kujtesë për krimet e luftës në Kosovë dhe për mungesën e përgjegjësisë që vijon të karakterizojë qasjen e shtetit serb ndaj historisë.

Në rrjete sociale, reagimet ishin të menjëhershme. Shumë e përshëndetën pankartën si një akt simbolik ndërkombëtar që kërkon drejtësi për të kaluarën, ndërsa të tjerë panë në të një përpjekje për të politizuar një skenë që pretendon neutralitet.

Pavarësisht interpretimit, një gjë është e sigurt: mesazhi i asaj pankarte u lexua. Dhe në një arenë si Eurovision – ku shpesh më shumë zhurmë bëjnë gërshetat, fustanet dhe nota të larta – zëri më i fortë këtë herë erdhi nga heshtja e një proteste.

Serbia, nga ana tjetër, nuk arriti të kualifikohej për në finalen e madhe. Princ performoi i 15-ti me radhë dhe ndonëse dha një show energjik, duket se polemika e ndjeki deri në fund.

Po ndodh...