U përplas me shtyllën gjatë ndeshjes, sulmuesi i Nottingham Forest në koma

14 Maj 2025, 12:03 / SPORT ALFA PRESS
U përplas me shtyllën gjatë ndeshjes, sulmuesi i Nottingham

Sulmuesi nigerian i Nottingham Forest, Taiwo Awoniyi, është vendosur në koma të induktuar pas një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale për një dëmtim të rëndë abdominal, i pësuar gjatë ndeshjes kundër Leicester City, të dielën që kaloi.

Incidenti ndodhi kur Awoniyi u përplas me shtyllën e portës, teksa tentonte të dërgonte topin në rrjet pas një krosimi nga Anthony Elanga. Pavarësisht dhimbjeve të dukshme, lojtari vazhdoi lojën për 10 minutat e fundit të ndeshjes, pasi sinjalizoi stafit mjekësor se mund të luante.

Në deklaratën e dhënë të martën, Nottingham Forest konfirmoi se Awoniyi i ishte nënshtruar një operacioni të rëndësishëm dhe se po rikuperohej mirë. Sipas mediave britanike si BBC dhe Sky Sports, lojtari është futur në koma të induktuar si pjesë e procesit të rikuperimit.

Dëmtimi dhe trajtimi i tij në fushë shkaktuan debat të fortë, ku u raportua për një përplasje mes pronarit të klubit, Evangelos Marinakis, dhe trajnerit Nuno Espírito Santo. Sipas raportimeve, Marinakis kishte kundërshtuar vendimin e stafit mjekësor për të lejuar Awoniyi të vazhdonte ndeshjen.

Pas ndeshjes, Espírito Santo sqaroi se diskutimi me pronarin lidhej vetëm me vendimin mjekësor dhe jo me paraqitjen e skuadrës. Klubi, përmes një deklarate zyrtare, hodhi poshtë raportimet për një konfrontim mes palëve dhe kritikoi komentuesit për përhapjen e dezinformimit. Taiwo Awoniyi, që iu bashkua Forest nga Union Berlin në vitin 2022, ka shënuar 17 gola në 73 paraqitje në Premier League.

Po ndodh...