“Kur shteti nuk vjen…”/ Zbardhen detaje nga tragjedia e Hasit: Si dështoi drejtësia t’i japë zgjidhje konfliktit 20-vjeçar për pronat mes fisit Jaku dhe Sallahu

15 Maj 2025, 20:39 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Kur shteti nuk vjen…”/ Zbardhen detaje nga tragjedia e

Emisioni “Vetting” në News24, ka zbardhur detaje të reja nga tragjedia e 7 majit 2025, në fshatin Pla të Hasit që tronditi opinionin publik, ku Reshit Sallahu, 34 vjeç, u vra nga fqinji i tij, Ylber Jaku, 41 vjeç.

Kjo nuk ishte thjesht një vrasje mes komshinjsh, por fundi i një konflikti për pronën që kishte zgjatur mbi 20 vjet dhe që institucionet kishin zgjedhur ta injoronin.

Një ditë më parë, motra e viktimës, Artjola Sallahu, kishte plagosur rëndë me sëpatë prindërit e autorit – Agim dhe Vera Jaku – pas një përleshjeje të ashpër për pronësinë. Ngjarjet u zhvilluan si një tragjedi e paralajmëruar, ndërkohë që institucionet shtetërore heshtën në çdo fazë të këtij konflikti.

Agim Jaku, babai i autorit të krimit, një javë para ngjarjes iu drejtua publikisht emisionit investigativ “Vetting”, ku paralajmëroi se jeta e tij dhe e familjes ishte në rrezik.

“Që nga viti 2007, jetojmë nën kërcënim të vazhdueshëm. Po na dëmtojnë pronën, na bllokojnë rrugët, na kërcënojnë me vetëdijen e institucioneve vendore”, deklaroi ai me dëshpërim.

Kryetari i Bashkisë Has, Myftar Dauti, pranoi se situata kishte qenë e njohur dhe se “po të kishte ndërhyrë shteti, kishte rrugëzgjidhje”. Por ndërhyrja nuk erdhi kurrë.

Kjo ngjarje është një dëshmi e dhimbshme e një sistemi drejtësie që nuk arrin të përmbushë funksionin e tij më themelor: parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e jetës njerëzore. Familjarët e përfshirë kishin bërë me vite denoncime, kërkesa dhe thirrje për ndihmë. Por dera e shtetit mbeti e mbyllur.

Policia, vetëm pas plagosjes me sëpatë të çiftit Jaku, nisi hetimet. Por për Hasin, ishte tashmë tepër vonë. Kur drejtësia nuk vjen, ajo zëvendësohet nga dhuna. Dhe atëherë, pasojat janë tragjike: dy familje të shkatërruara, një jetë e marrë, dhe një tjetër – e humbur përjetësisht pas hekurave.

Tragjedia e Hasit nuk është një rast i izoluar. Është një shembull brutal i asaj që ndodh kur institucionet zgjedhin të mos ndërhyjnë në kohë. Në një vend ku shteti nuk arrin në fshatra, ku konfliktet për pronat lihen të zgjasin për dekada, drejtësia nuk ekziston. Dhe aty ku nuk ka drejtësi, ka gjak.

Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje alarmi për reformim të thellë institucional, për ndërtimin e një sistemi të drejtë, të përgjegjshëm dhe funksional. Pa ndërhyrje të hershme, pa zgjidhje konkrete për mosmarrëveshjet, pa praninë aktive të ligjit në çdo cep të vendit, tragjeditë do të përsëriten./Vetting 

 

Po ndodh...