Bloomberg: Këshilltarët e Trump kanë gati opsione për presion ekonomik ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës

2 Maj 2025, 18:49 / BOTA ALFA PRESS

Bloomberg: Këshilltarët e Trump kanë gati opsione për

Një paketë me opsione për rritjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë është përgatitur nga zyrtarë të lartë amerikanë për Donald Trump, sipas burimeve të cituara nga Bloomberg që janë në dijeni të zhvillimeve.

Ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, pasi negociatat diplomatike vazhdojnë, dhe nuk janë zbuluar detaje për masat që po shqyrtohen.

Ukraina dhe aleatët e saj po i bëjnë presion Uashingtonit të ashpërsojë sanksionet, sidomos në sektorin energjetik, me synimin që Rusia të pranojë një armëpushim sipas kushteve të propozuara nga Trump. Megjithëse SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të paprecedenta ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, udhëheqja ruse vazhdon të mos lëkundet.

Situata u ndërlikua më tej nga largimi i papritur i këshilltarit për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, dhe emërimi i përkohshëm i Ministrit të Jashtëm Marco Rubio në vend të tij. Përqendrimi i kompetencave tek Rubio mund të përshpejtojë krijimin e një strategjie të unifikuar, ndryshe nga më parë kur dominonin qëndrime të ndryshme, sidomos nga i dërguari i posaçëm i Trump, Steve Witkoff, i njohur për një qasje më të butë ndaj Moskës.

Ndërkohë, Vladimir Putin vazhdon të kërkojë sovranitet të plotë mbi katër rajone ukrainase, edhe pse nuk i kontrollon plotësisht, dhe refuzon kërkesat amerikane për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka rënë dakord t’i ofrojë Uashingtonit një pjesë nga të ardhurat e ardhshme të burimeve natyrore të vendit, për të siguruar mbështetjen e Trump. Ai gjithashtu ka shprehur mbështetje për një armëpushim pa kushte për një periudhë të paktën 30 ditore.

Zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, në një intervistë të enjten, deklaroi se Trump “ka nisur procesin”, por tani është përgjegjësi e Kievit dhe Moskës të gjejnë një zgjidhje.

“Tashmë që të dyja palët e dinë pozicionin e njëra-tjetrës, u takon atyre të arrijnë një marrëveshje,” u shpreh ai, duke theksuar se SHBA është e gatshme të “tërhiqet” nëse nuk arrihet kompromis. Këtë qëndrim e përsëriti të premten edhe një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Trump, i cili ka shpallur si objektiv përfundimin e luftës dhe rishikimin rrënjësor të marrëdhënieve ekonomike SHBA–Rusi, ka kërcënuar tashmë me sanksione të reja ndaj Moskës. Në një postim në platformën Truth Social, pas një takimi me Zelenskyn, ai akuzoi Putinin se nuk ka vullnet për paqe, duke përmendur sulmet ndaj civilëve si dëshmi të mungesës së interesit për një armëpushim. Ai përmendi gjithashtu mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj sektorit bankar rus dhe sanksione dytësore ndaj vendeve të treta.

Në të njëjtën linjë, senatori republikan Lindsey Graham paraqiti një projektligj me mbështetjen e 72 senatorëve për vendosjen e sanksioneve “shkatërruese”, përfshirë një taksë 500% ndaj importeve nga vendet që blejnë produkte ruse si naftë, gaz apo uranium.

Gjithashtu po shqyrtohet një propozim i ndarë me partnerët evropianë: njohja e sovranitetit rus në Krime, ruajtja e vijave ekzistuese të kontrollit në territoret e pushtuara, anulimi i integrimit të Ukrainës në NATO dhe heqja graduale e sanksioneve, në këmbim të garancive të sigurisë amerikane për Kievin.

Megjithatë, Moska duket se i refuzon edhe propozimet për kthimin e termocentralit bërthamor të Zaporizhias, të cilin e mori që në fillim të luftës.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi për CBS: “Nuk besoj se ka ndonjë mundësi që kjo të ndryshojë.”

 

Po ndodh...