Ish-kryeministri i Tunizisë dënohet me 34 vite burg për ...

3 Maj 2025, 16:21 / BOTA ALFA PRESS

Ish-kryeministri i Tunizisë dënohet me 34 vite burg për ...


Një gjykatë në Tunizi ka dënuar ish-kryeministrin Ali Laarayedh me 34 vite burg për një sërë akuzash për terrorizëm. Ai është një ndër kritikët më të spikatur të presidentit aktual, Kais Saied, dhe udhëheqës i partisë Ennahda – partia më e madhe në parlament që promovon vlera islamiste.

Sipas autoriteteve, Laarayedh dhe shtatë persona të tjerë janë akuzuar për krijimin e një celule terroriste dhe për ndihmën ndaj të rinjve tunizianë për të udhëtuar drejt vendeve si Iraku dhe Siria, me qëllim për t’iu bashkuar grupeve islamiste të armatosura.

Në një letër drejtuar prokurorit të çështjes muajin e kaluar, Laarayedh mohoi çdo fajësi duke deklaruar: “Unë nuk jam kriminel… jam viktimë në këtë rast.” Ai u arrestua para tre vitesh dhe është dënuar të premten që lamë pas.

Laarayedh ka deklaruar vazhdimisht se akuzat janë të motivuara politikisht dhe se gjyqi është pjesë e një përpjekjeje për të shtypur opozitën.

Organizata për të drejtat e njeriut, përfshirë Human Rights Watch, e kanë kritikuar ashpër këtë çështje, duke e quajtur një shembull tjetër të përpjekjeve të presidentit Saied për të mbyllur gojën kundërshtarëve politikë duke i akuzuar për terrorizëm.

Që prej zgjedhjes së tij para gjashtë vitesh, Saied ka marrë një kontroll gjithnjë e më të madh mbi pushtetin, ka shpërbërë parlamentin në vitin 2021 dhe ka qeverisur me dekrete, duke rishkruar edhe kushtetutën për të shtuar kompetencat e tij.

Në javët e fundit, të paktën 40 kritikë të presidentit – përfshirë diplomatë, avokatë dhe gazetarë – janë futur në burg.

Grupi Ennahda, të cilin e përfaqëson Laarayedh, ishte në pushtet për një kohë të shkurtër pas revolucionit të njohur si Pranvera Arabe, që filloi në Tunizi më 2011 me vetëdjegien e Mohamed Bouazizit – një shitës ambulant që protestoi kundër korrupsionit dhe padrejtësisë.

Megjithatë, shumë qytetarë tunizianë sot mendojnë se përfitimet demokratike të asaj periudhe janë zhdukur dhe vendi është rikthyer në autoritarizëm. Presidenti Saied i ka hedhur poshtë kritikat, duke thënë se është në luftë kundër “tradhtarëve” dhe ka denoncuar “ndërhyrjen e huaj të hapur”.

Po ndodh...