“Koha juaj ka mbaruar!”- Trump paralajmëron sërish vendosjen e tarifave të reja nga 10% në 70% për partnerët tregtarë: Afati i fundit 9 korrik

4 Korrik 2025, 16:32 / BOTA ALFA PRESS

“Koha juaj ka mbaruar!”- Trump paralajmëron sërish

Më 9 prill, presidenti amerikan Donald Trump i kishte dhënë botës një afat prej tre muajsh për të negociuar marrëveshje tregtare me administratën e tij. Nëse nuk arrihej ndonjë marrëveshje deri atëherë, do të vendoseshin tarifa të reja, ndjeshëm më të larta, me karakter “reciprok”.

Tani, me vetëm pesë ditë të mbetura deri në përfundimin e këtij afati, Shtëpia e Bardhë pritet të nisë shpërndarjen e njoftimeve: “Koha juaj mbaroi, dhe këto janë tarifat e reja”.

Në një deklaratë nga Baza Ajrore Andrews të premten, Trump tha para gazetarëve se do t’i informojë nga 10 deri në 12 shtete në ditë gjatë pesë ditëve në vijim, duke specifikuar tarifat e reja në letra zyrtare që do të nisin së shpërndari nga Shtëpia e Bardhë. Në shumicën e rasteve, këto tarifa do të hyjnë në fuqi më 1 gusht, theksoi ai.

“S’do të jenë vetëm 10% apo 20%, por do të shkojnë deri në 60% apo edhe 70%. Dhe disa prej tyre do të hyjnë në fuqi që nesër”, shtoi Trump. “Letra do të përmbajë qartë shifrat që vendet përkatëse do të detyrohen të paguajnë në formën e tarifave”.

Ende nuk është bërë e ditur cilat vende do të marrin këto letra, por Trump ka vënë në shënjestër disa partnerë tregtarë për, siç tha ai, “qasje tepër të ashpra në negociata” – përfshirë Bashkimin Evropian dhe Japoninë.

Këtë javë, ai kërcënoi ta dërgojë një letër Japonisë, të cilën e cilësoi si “të përkëdhelur”, duke i vendosur një tarifë doganore prej 35%. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto deklarata janë pjesë e një strategjie negociuese apo nëse vërtet këto vende do të përfshihen në listën për tarifat e reja.

Trump tha gjithashtu se pret që letrat të dorëzohen para afatit final për përfundimin e marrëveshjeve tregtare, që është 9 korriku.

Megjithëse Uashingtoni ka deklaruar herë pas here se afatet mund të jenë fleksibël për ata partnerë që tregojnë “përpjekje të sinqerta” në negociatat me SHBA-në, Trump ishte i prerë kur u pyet nëse do të ketë ndonjë përjashtim.

“Jo. Do të fillojnë të paguajnë nga 1 gushti. Të ardhurat do të fillojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga 1 gushti, në pothuajse të gjitha rastet. Dhe është shumë para”, përfundoi ai.

 

Po ndodh...