“Macron nuk dëshiron të shpërndajë Asamblenë Kombëtare”- Pallati Elize: Mundësia mbetet e hapur

26 Gusht 2025, 18:11 / BOTA ALFA PRESS

“Macron nuk dëshiron të shpërndajë Asamblenë

Skena politike franceze është sërish në lëvizje, pas diskutimeve të reja mbi mundësinë e shpërbërjes së Asamblesë Kombëtare, një vit pas zgjedhjeve të parakohshme që u thirrën pas fitores së ekstremit të djathtë në zgjedhjet europiane.

Presidenti francez Emmanuel Macron, sipas burimeve nga Pallati Élysée, “nuk dëshiron” aktualisht të shpërbëjë sërish Asamblenë, por nuk përjashton këtë opsion nëse “rrethanat politike e bëjnë të domosdoshme”.

Zhvillimet vijnë në një moment kritik, pasi kryeministri François Bayrou ka njoftuar se më 8 shtator do të kërkojë votëbesimin e Asamblesë Kombëtare, në një përpjekje për të siguruar mbështetje për buxhetin dhe politikat e tij për uljen e borxhit publik.

Opozita, nga e majta në të djathtë ekstreme, ka paralajmëruar votë kundër, gjë që rrit ndjeshëm rrezikun që qeveria ta humbasë shumicën dhe të detyrohet të japë dorëheqjen.

Një skenar i tillë do të përshpejtonte zhvillime të reja, përfshirë largimin e kryeministrit, dobësimin e mëtejshëm të ekzekutivit dhe sipas analizave politike, mundësinë reale që Macron të thërrasë sërish zgjedhje të reja.

Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin, i cili më parë kishte mbështetur publikisht idenë e shpërbërjes, e la sërish të hapur mundësinë, duke pranuar se “një vendim i tillë do t’i kushtonte shumë vendit”, por nuk mund të përjashtohet.

Ndërkohë, ekspertët kushtetues paralajmërojnë se një tjetër zgjedhje legjislative në këtë fazë do të ishte tepër e ndërlikuar, për shkak se do të përkonte me fushatën për zgjedhjet vendore të marsit 2025, duke lënë vendin pa qeveri, buxhet dhe parlament funksional për disa muaj.

Sipas mediave franceze, asnjë prej blloqeve politike nuk ka gjasa të sigurojë një shumicë të qartë në rast të zgjedhjeve të reja. E majta mbetet e fragmentuar dhe me shanse të kufizuara për të marrë kontrollin e parlamentit, ndërsa edhe pse e përforcuar, ekstremi i djathtë nuk ka ende garanci për të dominuar.

Kjo situatë e vendos Macron përballë një dileme të rrezikshme: të mbështesë një qeveri të brishtë dhe të rrezikojë paralizën institucionale, ose të shpërbëjë sërish parlamentin, duke përballuar pasojat politike dhe sociale të një vendimi të tillë.

 

Po ndodh...