Në luftë me etjen, urinë dhe raketat/ Dëshmi tronditëse nga Gaza: Djali më vdiq në sulmin në kampin Nuseirat! Ishte në kërkim të një gllënjke uji

15 Korrik 2025, 08:46 / BOTA ALFA PRESS

Në luftë me etjen, urinë dhe raketat/ Dëshmi tronditëse

Një tjetër tragjedi ka goditur kampin urban të Nuseiratit në qendër të Gazës, ku një sulm ajror izraelit vrau të paktën 10 persona, përfshirë gjashtë fëmijë, teksa ata prisnin në radhë për ujë pranë një pike shpërndarjeje.

Sipas Mahmud Abdul Rahman Ahmed, djali i tij 12-vjeçar, Abdullah, ishte nisur të dielën në mëngjes për të mbushur ujë me bidonë plastikë, si zakonisht. “Ishte në kërkim të një gllënjke uji,” tha ai për një gazetar lokal që punon për BBC. “Pak minuta pasi fëmijët dhe njerëzit e etur u mblodhën në atë vend, avionët luftarakë bombarduan pa asnjë paralajmërim.”

Pamje të verifikuara nga BBC tregojnë pasojat e menjëhershme të sulmit: trupat e fëmijëve të shtrirë, gra që bërtasin, burra që nxjerrin të plagosur nga rrënojat dhe dhjetëra bidonë të verdhë të mbetur nën një ndërtesë të shkatërruar.

Spitali Al-Aëda në Nuseirat konfirmoi se 10 persona humbën jetën, mes tyre fëmijët: Abdullah Abdul Rahman Ahmed, Badr al-Din Qaraman, Siraj Khaled Ibrahim, Ibrahim Ashraf Abu Urayban, Karam dhe Lana Ashraf al-Ghussein. Të paktën 16 persona të tjerë janë plagosur.

Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar një “terrorist të Xhihadit Islamik Palestinez”, por për shkak të një “gabimi teknik”, predha ra disa dhjetëra metra larg objektivit. Ata shprehën “keqardhje për çdo dëm ndaj civilëve të pafajshëm” dhe njoftuan se incidenti po hetohet.

Por Mahmud thotë se sulmi ishte i qëllimshëm. “Ishte një mesazh: nuk do t’ju lejojmë as të pini ujë,” tha ai, duke shtuar se ëndrrat e Abdullahut dhe fëmijëve të tjerë nuk do të realizohen kurrë. “Ata shikonin të ardhmen me shpresë, me ëndrrën për të jetuar si fëmijët e tjerë të botës.”

Sipas Kombeve të Bashkuara, mungesa e ujit në Gaza është duke u përkeqësuar për shkak të mungesës së karburantit, pjesëve rezervë dhe sigurisë së dobët për shkak të operacioneve ushtarake.

“Çdo mëngjes sheh fëmijë në radhë me bidonë të verdhë, duke pritur për kamionin e ujit,” tha Sam Rose, drejtues i përkohshëm i UNRËA-s në Gaza. “Çdo vdekje është një tragjedi. Kjo është veçanërisht e dhimbshme për shkak të rrethanave.”

Vetëm javën e kaluar, një tjetër sulm izraelit vrau 10 fëmijë dhe 3 gra që po prisnin ndihma ushqimore në Deir al-Balah. UNICEF e cilësoi incidentin si “horrifik” dhe kërkoi nga Izraeli të rishikojë urgjentisht rregullat e angazhimit dhe të respektojë ligjin humanitar.

Po ndodh...