Nga karaoket në kishë! Kush është kardinali filipinas që mund të bëhet Papa i parë aziatik

5 Maj 2025, 09:43 / BOTA ALFA PRESS

Nga karaoket në kishë! Kush është kardinali filipinas

Kardinali filipinas Luis Antonio Tagle, një figurë e njohur për thjeshtësinë dhe qëndrimet e tij progresive, përmendet gjithnjë e më shpesh si një ndër kandidatët potencialë për të pasuar Papa Françeskun.

I njohur me nofkën “Chito”, Tagle ka fituar zemrat e shumë besimtarëve në Filipine dhe më gjerë, por në të njëjtën kohë është përballur me kritika në rritje për trajtimin e çështjeve të ndjeshme brenda Kishës Katolike.

Në një intervistë të vitit 2015, Tagle u përgjigj me humor kur u pyet nëse kishte menduar ndonjëherë të bëhej papë: “Unë bëj një rrëfim publik këtu. Nuk mund ta menaxhoj as jetën time. Si mund ta imagjinoj një komunitet mbarëbotëror?”.

Megjithatë, ai mbetet një nga emrat më të përfolur për kreun e Selisë së Shenjtë – dhe nëse zgjidhet, do të bëhet papa i parë aziatik në kohët moderne.

Tagle është përshkruar shpesh si “Françesku Aziatik”, për shkak të stilit të tij të jetesës modeste dhe pikëpamjeve të tij përfshirëse. Si peshkop i Imus, ai preferonte të udhëtonte me xhipnej (mjet tradicional transporti publik në Filipine) dhe shpesh ftonte të varfrit të hanin me të. Ai ka kritikuar qëndrimet e ashpra të Kishës ndaj nënave beqare, homoseksualëve dhe të divorcuarve.

Një tjetër element që e veçon Taglen është aftësia për të komunikuar me publikun, veçanërisht të rinjtë. Videot e tij duke kënduar dhe vallëzuar janë bërë virale në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok. Historiani Michael Xiao Chua e përshkruan atë si një “prift karaokeje” dhe “yll roku” që pas meshës mblidhet nga turma të tëra besimtarësh.

I lindur në Imus në vitin 1957, Tagle vjen nga një familje e thjeshtë dhe fillimisht kishte dëshirë të bëhej mjek. Por rruga e tij mori një kthesë kur, sipas tij, një prift “e mashtroi” që të aplikonte në një seminar fetar. Më pas, ai mori doktoraturën në Universitetin Katolik të Amerikës dhe u emërua peshkop, më pas kryepeshkop i Manilës dhe kardinal në vitin 2012 nga Papa Benedikti XVI.

Megjithatë, rrugëtimi i tij në hierarkinë kishtare nuk ka qenë pa polemika. Si president i Caritas Internationalis nga viti 2015 deri në 2022, ai u përfshi indirekt në një skandal të keqmenaxhimit që çoi në shkarkimin e gjithë ekipit drejtues. Edhe pse nuk ishte i përfshirë në operacionet e përditshme, largimi i tij ngjalli diskutime të shumta.

Së fundmi, një grup i të mbijetuarve të abuzimeve seksuale nga klerikët, përfshirë Rrjetin e të Mbijetuarve të atyre që janë Abuzuar nga Priftërinjtë (SNAP), ka kërkuar hetim ndaj Tagles dhe pesë kardinalëve të tjerë për trajtimin e rasteve të dyshuara të abuzimit me fëmijë nga Caritas në Zelandën e Re dhe Republikën Qendrore Afrikane. Tagle nuk ka komentuar mbi këto akuza.

Aktivistët gjithashtu e kanë kritikuar për mungesën e transparencës në trajtimin e abuzimeve në Filipine. Anne Barrett Doyle, nga organizata BishopAccountability.org, ka deklaruar se “kisha në Filipine është ende në epokat e errëta” për këtë çështje dhe ka vënë në dyshim gatishmërinë e Tagles për të udhëhequr një reformë në shkallë globale.

Ndërsa emri i tij përmendet gjithnjë e më shpesh si një pasues i mundshëm i Papa Françeskut, mbetet për t’u parë nëse do të jetë karizma apo kritikat ato që do të peshojnë më shumë në vendimin për drejtimin e ardhshëm të Kishës Katolike.