Pakistani po përgatitet për një pushtim të afërt nga India, ministri i Mbrojtjes: Është diçka e pashmangshme! Kemi marrë vendimet tona

28 Prill 2025, 16:32 / BOTA ALFA PRESS

Pakistani po përgatitet për një pushtim të afërt nga
Pakistani po përgatitet për një pushtim ushtarak nga India fqinje, pas sulmit vdekjeprurës të militantëve kundër turistëve në Kashmirin indian javën e kaluar, ndërsa tensionet mes dy fuqive bërthamore po rriten.

Këtë deklaroi sot ministri i Mbrojtjes së Pakistanit, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar dhe shumica e popullsisë në Indi kërkon ndërmarrjen e veprimeve ushtarake, pasi sulmi i javës së kaluar shkaktoi vdekjen e 26 personave.

“Ne kemi forcuar forcat tona, sepse tani kjo është diçka e pashmangshme. Në këtë situatë, duhet të marrim disa vendime strategjike dhe këto vendime tashmë janë marrë,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, Muhammad Asif, në një intervistë për Reuters nga zyra e tij në Islamabad.

Asif gjithashtu deklaroi se retorika e Indisë po ashpërsohet dhe ushtria e Pakistanit ka informuar qeverinë për mundësinë e një sulmi indian. Ai nuk dha më shumë detaje për arsyet që e bëjnë të besojë se pushtimi është i afërt.

Pas sulmit në Kashmir, India identifikoi dy militantë të dyshuar si pakistanezë. Islamabad e mohoi çdo përfshirje dhe kërkoi një hetim të paanshëm.

Asif theksoi se Pakistani është në gjendje gatishmërie të lartë dhe se do të përdorë arsenalin e tij bërthamor vetëm “nëse përballemi me një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ekzistencës sonë”.

Ankara mohon se ka dërguar gjashtë avionë me materiale ushtarake në Pakistan

Ndërkohë, presidenca e Turqisë mohon informacionin që doli në dritë orët e fundit se Ankaraja ka dërguar gjashtë ngarkesa me armë në Pakistan.

“Një avion transportues që u nis nga Turqia u ul në Pakistan për t’u furnizuar me karburant. Më pas vazhdoi fluturimin sipas itinerarit të tij të paracaktuar,” thuhet në një deklaratë të Qendrës për Luftimin e Dezinformimit të Drejtorisë së Komunikimit të presidencës turke.

Me titull “Tension lufte në Kashmir! Turqia dërgoi gjashtë avionë të ngarkuar me armë në Pakistan”, gazeta nacionaliste filo-qeveritare Türkiye publikoi në faqen e saj një raport përkatës, ku ndër të tjera thuhej se “gjashtë avionë transportues që i përkisnin ushtrisë turke transportuan pajisje ushtarake në Pakistan. U raportua se në këto pajisje përfshiheshin armë, raketa dhe dronë. Zyrtarë pakistanezë deklaruan se ‘Turqia po shfaq një mbështetje të heshtur, por reale’”.

Më pas ky raport u tërhoq nga faqja e internetit e gazetës. Raporte të ngjashme ishin publikuar edhe nga media të tjera turke, kryesisht faqe të specializuara në çështje të mbrojtjes.