Studiuesi francez akuzohet për spiunazh, Laurent Vinatier rrezikon deri në 20 vite burgim në Rusi

20 Gusht 2025, 23:56 / BOTA ALFA PRESS

Studiuesi francez akuzohet për spiunazh, Laurent Vinatier rrezikon deri

Studiuesi francez Laurent Vinatier, i cili po vuan një dënim prej tre vitesh burg në Rusi, akuzohet tashmë edhe për spiunazh, sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara sot.

Sipas një dokumenti që ka siguruar Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), Vinatier do të dalë përsëri para gjykatës, këtë herë për akuzën e spiunazhit, e cila parashikon dënim deri në 20 vite burgim. Seanca gjyqësore është caktuar të zhvillohet më 25 gusht.

Vinatier, i cili punonte për një organizatë joqeveritare zvicerane që ndërmjetëson në konflikte, është një nga disa shtetasit perëndimorë të arrestuar në Rusi vitet e fundit, në një periudhë tensioni të lartë diplomatiko-politik për shkak të luftës në Ukrainë.

Parisi ka kërkuar lirimin e tij, duke akuzuar Moskën se po përdor shtetasit perëndimorë si pengje politike. Studiuesi u shpall fajtor për mbledhje informacioni mbi sistemet e armëve ruse dhe për shkelje të ligjit mbi “agjentët e huaj”, pasi nuk ishte regjistruar si i tillë.

Vinatier shërbente si këshilltar pranë Qendrës për Dialog Humanitar me seli në Gjenevë dhe është ekspert për Rusinë dhe ish-republikat sovjetike. Në gjykatë ai ka deklaruar se, në kuadër të punës së tij, “përfaqësonte interesat e Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

 

Po ndodh...