"Partitë simotra të kënetës", Rezoluta e PPE ndez replikat Rama-Berisha: Armiq të egër të votës së lirë të shqiptarëve

1 Maj 2025, 11:44 / POLITIKË ALFA PRESS

"Partitë simotra të kënetës", Rezoluta e PPE ndez

Fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit ka ndezur përplasjen politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Dy liderët janë përballur në distancë me akuza, ironi dhe premtime të forta, duke nxjerrë në pah polarizimin e thellë që dominon skenën politike shqiptare.

Më herët Rama iu referua rezolutës së votuar së fundmi nga Partia Popullore Europiane si “boria e kënetës politike”, duke ironizuar opozitën dhe duke akuzuar se çdo herë që humbasin zgjedhjet, ata risjellin të njëjtat akuza për blerje votash, punësime elektorale dhe presione ndaj kandidatëve.

Ra dje boria në një mbledhje diku në Spanjë ku ishin mbledhur partitë simotra të Kënetës, që i ka mbajtur këneta mes tyre dhe nuk dinë  çfarë të bëjnë. Këneta kaloi nëpër tavolina një fletërrufe dhe aty filloi avazin, blerje vote me lekë dhe kanabis, punësime elektorale, abuzime me detyrën dhe mediat, emërim ilegal i kryetarit të bashkisë, kërcënim dhe hetime kundër kandidatëve të opozitës. Një mal me broçkulla të dëgjuara sa herë ka pasur zgjedhje, të përsëritura sa herë ka pasur humbje”, tha Rama, ndërsa theksoi se për herë të parë vendi ka një strukturë të pavarur si SPAK, që ndjek çdo denoncim në terren dhe do të mbrojë integritetin e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, Berisha gjatë një takimi në Librazhd-Përrenjas, reagoi ashpër ndaj deklaratave të Ramës dhe theksoi se rezoluta e PPE-së është një dëshmi ndërkombëtare e dënimit të regjimit të kryeministrit shqiptar.

Ai e cilësoi qeverinë si “armik të egër të votës së lirë” dhe paraqiti një sërë premtimesh konkrete për 100 ditët e para të qeverisjes, nëse koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” vjen në pushtet.

“U sjell përshëndetjet më të përzemërta nga Kongresi i Partisë Popullore Europiane, partisë më të fuqishme që qeveris sot me 14 kryeministra, drejton Komisionin Europian, Parlamentin Europian, të cilët dje votuan me unanimitet një rezolutë në mbështetje të secilit prej jush, të votës tuaj, të fitores së PD dhe denoncuan Edi Ramën, klikën e tij si armiq të egër të votës së lirë të shqiptarëve.

Pra, ne shkojmë në datën 11 maj në zgjedhje të sigurt në një fitore të thellë, në një fitore me të cilën qytetarët e Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë, votojnë për veten e tyre, për familjen e tyre, për të ardhmen e tyre, të ardhmen e Librazhdit dhe gjithë Shqipërisë.

Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se me programin tonë ne do u kthejmë paratë qytetarëve shqiptarë dhe se çdo pensionist, në këtë rreth, në këtë qark, në Shqipëri, brenda 100 ditëve të para nuk do ketë kurrë një pension nën 200 euro.

Do vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh, i cili përmirëson gjendjen e 560 mijë pensionistëve me pensione nën 170 euro.

Minimumi jetik do u jepet të gjithë shqiptarëve në ndihmë ekonomike, të gjithë të papunëve, të jjithë studentëve me brusë dhe prindërve me një fëmijë.

100 ditët e para ne nxjerrim shqiptarët nga varfëria e skajshme.

Dhe jo vetëm kaq, por çdo shqiptari me rrogë të ulët 500 euro, çdo pensionisti ne i japim kartën e konsumatorit me të cilën ai do blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët, çka do të thotë se do marrë në vit 450 euro kompensim.

Në 100 ditët e para, çmimi i naftës do ulet me 40 përqind, nuk do shitet kurrë më shumë se minus/plus 10 përqind të çmimit në Maqedoni dhe Kosovë.

Miq, pra ne japim një goditje përfundimtare mjerimit apo varfërisë ekstreme.

Nuk do ketë shqiptar që të ketë nën 6.3 euro në ditë.

Me programin tonë, Aleanca për Shqipërinë Madhështore do t’i japë biznesit një frymëmarrje të re të fuqishme.
Biznesi i vogël do paguajë energjinë me 6 lekë nga 18 që e paguan sot.

Do të përgjysmohet tarifat e ujit.

Do pjesëtohet me 5, tarifa e hapësirës publike.

Do rriten tavanet në 180 mijë euro për TVSH-në dhe tatim fitimin për bizneset e vogla.

Për bizneset e tjera vendoset taksa e sheshtë 10 përqind nga 23 përqind.

TVSH-ja ulet në 15 përqind nga 20 përqind.

Shqipëria do jetë vendi me klimën më të mirë të biznesit. Edhe ato energjinë do e paguajnë 6 lekë nga 18 që paguajnë sot.”, tha Berisha.

Kjo përplasje mes dy figurave më të njohura të politikës shqiptare paralajmëron një garë të fortë dhe të polarizuar për votën e qytetarëve më 11 maj, ku retorika e akuzave dhe premtimeve po dominojnë mbi dialogun politik.