VIDEO/ Ylber Ramadani i shënon super gol portierit serb dhe i jep fitoren Leçes

19 Maj 2025, 00:05 / SPORT ALFA PRESS

VIDEO/ Ylber Ramadani i shënon super gol portierit serb dhe i jep fitoren

Një mbrëmje magjike mund të konsiderohet e sotme për mesfushorin e kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, i cili ka shënuar ndoshta golin më të bukur në karrier.

Në ndeshjen e javës së 37-të të Serie A, ai kaloi ekipin e Leçes në avantazh në takimin përballë Torinos, teksa mesfushori shqiptar u aktivizua në fundin e pjesës së parë, duke zënë vendin e të dëmtuarit Pierret.

Në fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 46′, Ylber Ramadani realizoi një gol fantastik, duke dërguar topin në rrjetë pas një goditjeje precize dhe të fuqishme. Portieri serb i Torinos, Milinkoviç-Saviç, pavarësisht se u hodh, e kishte të pamundur të kapte predhën e lëshuar nga Ramadani.

Goli i shënuar nga mesfushori shqiptar ishte dhe i vetmi i sfidës, ku kështu Ylber Ramadani i jep një fitore jetike Leçes, një javë para fundit të kampionatit, në luftën për mbijetesë.