Zyrtarizohet gjyqtari që do të gjykojë përballjen PSG–Arsenal

5 Maj 2025, 14:16 / SPORT ALFA PRESS

Zyrtarizohet gjyqtari që do të gjykojë përballjen

UEFA ka konfirmuar zyrtarisht se arbitri gjerman Felix Zwayer do të jetë gjyqtari kryesor në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve ndërmjet Paris Saint-Germain dhe Arsenal, që do të luhet të mërkurën, më 7 maj, në stadiumin “Parc des Princes” në Paris, me fillim nga ora 21:00.

Në dhomën e VAR-it do ta asistojë Bastian Dankert, gjithashtu gjerman.

Zwayer, 43 vjeç dhe ndërkombëtar që nga viti 2012, nuk ka drejtuar asnjë ndeshje të PSG-së apo Arsenalit gjatë këtij edicioni të Champions League.

Ai është një nga gjyqtarët e përzgjedhur nga FIFA për të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube 2025, që do të mbahet këtë verë në SHBA.

Ndeshja e tij më e fundit në Champions këtë sezon ishte ajo midis Benfikës dhe Barcelonës (0-1) në ndeshjen e parë të 1/8-ve të finales.

Më herët ka arbitruar edhe përballjen Atalanta–Club Brugge (1-3) në raundin e 1/16-ave. Në fazën e grupeve, ai ka gjykuar ndeshje të tilla si: Inter–Crvena Zvezda (4-0), Milan–Club Brugge (3-1), Dinamo Zagreb–Celtic (0-0), Liverpool–Lille (2-1) dhe sërish Atalanta–Brugge (1-3).

Me PSG-në është përballur për herë të fundit në sezonin 2022–2023, gjatë fazës së grupeve, kur francezët fituan bindshëm ndaj Maccabi Haifa (7-2).

Më parë, ai kishte arbitruar përballjen PSG–Napoli (2-2) në sezonin 2018–2019. Ndërsa me Arsenalin, takimi i fundit ishte në shtator të vitit 2023, kur londinezët mposhtën PSV Eindhoven (4-0) në fazën e grupeve.

Sfida e kthimit në Paris do të përcaktojë kush nga këto dy skuadra do të sigurojë një vend në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.

 

Po ndodh...

ide