Bllokimi i faqeve dhe IP të dëmshme, AKEP: Dominuan tentativat për mashtrim financiar

14 Maj 2025, 07:36 / AKTUALITET ALFA PRESS
Bllokimi i faqeve dhe IP të dëmshme, AKEP: Dominuan tentativat

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare raportoi se vitin e shkuar sulmet kibernetike për të cilat i është dashur të bashkëpunojë më shumë me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike lidheshin me tentativat për të marrë të dhënat personale dhe mashtrimin financiar. Në raportin e vitit 2024 AKEP nënvizon se bashkëpunimi është përqendruar tek tentativat “phishing”.

“AKEP e ka mbështetur AKSK-në në lidhje me bllokimin nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike të Domain-eve dhe IP-ve me përmbajtje të dëmshme. Dihet fakti se në shumicën e rasteve, ndërhyrja e AKEP ka qenë vendimtare në mitigimin e sulmeve kibernetike si në infrastruktura publike, ashtu edhe në infrastruktura private që garantojnë shërbime publike për qytetarët. Gjatë vitit 2024, rastet më të shpeshta të cilat vlen të përmenden kanë qenë tentativat “phishing” me qëllim marrjen e të dhënave personale të përdoruesve apo mashtrimin financiar. Specifikisht, tentativat e vazhdueshme nëpërmjet faqeve mashtruese sikur të jenë Posta Shqiptare, apo banka të nivelit të dytë” vlerëson AKEP në raportin vjetor të vitit 2024.

Sipas këtij institucioni në shumë raste bashkëpunimi mes dy institucioneve është shtrirë edhe te sipërmarrësit e komunikimeve elektronike dhe postare teksa gjatë vitit 2024 nuk ka pasur asnjë incident kibernetik të raportuar nga ana e sipërmarrësve.

Paralelisht me Autoritetin për Sigurinë Kibernetike duket se AKEP ka bllokuar edhe faqe që lidhen me piraterinë online diçka që mbulohet nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.

AKEP raportoi gjatë muajve tetor – nëntor të vitit 2024 u inspektuan, rreth 70 sipërmarrës të komunikimeve elektronike aktivë në Regjistrin e Përgjithshëm të Sipërmarrësve me shtrirje gjeografike në bashkitë Tiranë, Durrës, Shkodër, Përrenjas, Librazhd, Pogradec, Maliq, Korçë, Peqin, Rrogozhinë, Lushnje, Fier dhe Durrës.

Në përfundim, rezultatet e inspektimit përfshijnë:

– 13 masa administrative (gjobë) të ndërmarra kundër subjekteve që shkelin legjislacionin në fuqi për të drejtat e autorit dhe ofrojnë përmbajtje të paligjshme. – Bllokimin e menjëhershëm të faqeve të paligjshme që transmetojnë materiale të mbrojtura nga të drejtat e autorit, përfshirë filma, seriale, muzikë dhe transmetime sportive.

– Rritjen e ndërgjegjësimit publik, duke njoftuar qytetarët dhe kompanitë mbi pasojat ligjore të konsumimit ose shpërndarjes së përmbajtjes pa të drejtë transmetimi.

– Përditësimin dhe publikimin e listës së domain-eve të cilët duhet të jenë të bllokuar nga sipërmarrësit./ Monitor

Po ndodh...