Furnizonin grupe kriminale me armë zjarri, arrestohen dy të rinj! U kapën në Qafë Kashar-Rinas

9 Maj 2025, 09:17 / AKTUALITET ALFA PRESS
Furnizonin grupe kriminale me armë zjarri, arrestohen dy të rinj! U

Tiranë/Hetime proaktive dhe inteligjencë policore, me objektiv goditjen e grupeve kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Silent”. Sekuestrohen 4 pistoleta dhe 3 armë të ftohta.

Furnizonin grupe kriminale, me armë zjarri, të cilat modifikoheshin me silenciatorë, arrestohen 2 shtetas.

Si rezultat i një hetimi dymujor, me metoda proaktive, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vorë dhe të ndjekur në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u finalizua në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën e Posaçme Operacionale, operacioni “Silent”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë, teksa lëviznin me automjet në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”, shtetasit A. H., 19 vjeç dhe J. P., 20 vjeç, të dy banues në Vorë.

Atyre iu gjetën 4 armë zjarri pistoleta, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, pas modifikimit me silenciatorë. Në momentin e arrestimit, në automjet u gjet dhe 1 mjet prerës (thikë).

Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shokut të të arrestuarve, shtetasit G. Sh., 49 vjeç. Në këtë ambient u gjetën 1 dorezë metalike dhe 1 shkop gome. Për posedim të kundërligjshëm të këtyre sendeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.