Motra rrahu brutalisht fqinjët, i biri kthehet nga Anglia e i vret vëllanë/ Zbardhet dinamika e konfliktit për pronën në Has

8 Maj 2025, 11:51 / AKTUALITET ALFA PRESS

Motra rrahu brutalisht fqinjët, i biri kthehet nga Anglia e i vret

Detaje nga krimi i rëndë në një fshat të Hasit që ndodhi pasditen e djeshme, ku Ylber Jaku, 41 vjeç, i ka marrë jetën fqinjit të tij, Reshit Sallahu, 34 vjeç, në afërsi të shtëpisë së tij.

Prita fatale që iu zu 34- vjeçarit erdhi nga një konflikt i përshkallëzuar prej të paktën 20 vjetësh, për të cilin janë në dijeni të gjitha institucionet dhe askush nuk ka ndërhyrë ta zgjidhë dhe as ta shuajë.

Mirëpo agravimi i ashpër ndodhi dy ditë më parë, kur motra e viktimës sulmon më sëpatë një çift të moshuarish, duke i plagosur rëndë.

Policia shkoi në fshatin e largët dhe vuri në pranga vajzën dhunuese, ndërsa bashkë me marrjen e autores së sulmit brutal dhe nisjen për në spital të çiftit të të plagosurve, e braktisi vendin e ngjarjes.

Dje, pas mesditës, djali i çiftit ka mbërritur në fshatin Pla duke e pritur Reshit Sallahun të kthehet në banesë. Me një pushkë, që nuk dihet se ku e ka gjetur, ai ka qëlluar mbi të 8 herë duke i marrë jetën në vend.

Autori Ylber Jaku i ka pritur policinë në shtëpinë e tij bashkë me armën e krimit, ndërkohë që para se sa të mbërrinte në shtëpinë e tij, ai ka vizituar të atin e të ëmën në spitalin Ushtarak.

Kur ka parë gjendjen e rënduar të tyre, ai është nisur për në Has duke kryer edhe krimin e rëndë.

Mirëpo ngjarja bëhet edhe më e rëndë, kur u mësua se Ylberi ishte nisur ditën e djeshme nga Anglia dhe se rrugës kishte paralajmëruar edhe krimin e rëndë me anë të një fotoje që kishte hedhur në rrjetet sociale.

Po ashtu mësohet se konflikti mes dy familjeve fqinje është denoncuar me dhjetëra herë dhe askush nuk ka reaguar për të ardhur në ngjarjen e rëndë të dy ditëve të njëpasnjëshme, me një të vrarë, dy të plagosur dhe dy persona të arrestuar. Policia dha dje të dhënat për aktin e rëndë dhe tha se prokuroria ka nisur hetimet.

Nga të dhënat e para që kanë dalë nga hetimet intensive rezulton se autori Ylber Jaku ka ardhur nga Anglia për të kryer krimin, kurse viktima kishte qenë në qytetin e Kukësit dhe po kthehej me makinë, kur u sulmua në pritë.

Policia tha se ngjarja ka lidhje me konfliktin e raportuar më 6 maj, ku dy bashkëshortët përfunduan në spital pas përleshjes për shkak të sherrit për pronat, teksa kishin nisur hetimet për të dyja palët.

Madje sipas informacioneve paraprake, kishte pasur edhe ankesa e denoncime nga palët për këto konflikte pronësie prej më shumë se dy dekadash.

Për plagosjen e së martës u mor nën akuzë dhe arrestua vajza 21-vjeçare, e dyshuar për sulmin me një mjet të fortë, me sëpatë.

Por dinamika nuk përfundoi me kaq. Pasi dje, rreth orës 16:40, Policia raportoi se Ylber Jaku 41- vjeç, ka qëlluar për vdekje me armë Reshit Sallahun, 34 vjeç, i cili është vëllai i vajzës së dyshuar që plagosi bashkëshortët pas sherrit.

Sipas dinamikës rezulton se Artjola Sallahi, pas konfliktit për pronësi, sulmoi çiftin e bashkëshortëve duke i plagosur rëndë.

Policia ende nuk ka bërë me dije detajet konkrete nga konflikti mes dy familjeve, por ajo që është mësuar që prej së martës e deri mbrëmë është se një nga familjet ka hapur një rrugë kalimi vite më parë nëpër pronë.

Gjurma e rrugës ka qenë burim konfliktesh prej vitesh, pasi dy familjet pretendojnë se rruga ka prekur pronat e tyre.

Policia dhe forca të shumta mbështetëse kanë shkuar në vendngjarje, duke kryer arrestimin e autorit dhe sekuestrimin e armës së krimit. Hetimet për krimin janë ende aktive dhe pritet të sqarohen rrethana të tjera, shkruan panorama.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërkohë që nuk dihet se cili ka qenë roli i viktimës në atë ngjarje që shënoi dhunimin e prindërve të autorit të krimit të djeshëm.

Prokuroria pritet të hap dosjet ku gjenden kallëzimet ndër vite të sherreve mes dy familjeve Sallahi dhe Jaku për të parë se çfarë vërtet ka ndodhur mes tyre. ndërkohë ende nuk dihet gjendja shëndetësore e të dhunuarve dhe po ashtu pritet të merret edhe dëshmia e autorit të krimit të rëndë, i cili udhëtoi dje nga Anglia për t’i marrë jetën vëllait të vajzës që i dhunoi brutalisht të atin dhe të ëmën.

Po ndodh...