Ndërtoi pa leje resortin luksoz në Durrës, reagon zyrtarisht policia: Një hapësirë 5600 metra katror, abuzoi me qëllim përfitimi

28 Gusht 2025, 10:18 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ndërtoi pa leje resortin luksoz në Durrës, reagon zyrtarisht

Drejtoria e Policisë vendore Durrës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e ish-drejtorit të IMT, Ardian Halili, duke thënë se ky zyrtar ka abuzuar me detyrën me qëllim përfitimi.

Drejtori i Policisë së qytetit bregdetar tha se Halili ka filluar të ndërtojë që në vitin 2018 kur mbante këtë post dhe ka vazhduar edhe më tej.

Sipas tij, Halili ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në një hapësirë toke prej 5600 metra katror.

“Në vijim të punës për lokalizimin e ndërtimeve pa leje, identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës, gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe ato të IKMT-së, ky shtetas u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”.

Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për veprat penale: “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull.

Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës.

Në këtë frymë të zbatimit të ligjit, është duke vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike. Koordinimi i veprimeve mes strukturave të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, IMT-së dhe IKMT-së po jep rezultate çdo ditë në këtë drejtim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në telegramin e dërguar për strukturat e Policisë në qarqe, ka kërkuar intensifikimin e veprimeve të strukturave të Policisë për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe dërgimin para ligjit të të gjithë atyre që tentojnë të kryejnë ndërtime pa leje, të zaptojnë hapësira publike, atyre që shkaktojnë zjarrvënie, ndotje akustike apo që bllokojnë qarkullimin e automjeteve të emergjencës.

Përfitoj nga rasti të ftoj qytetarët e qarkut Durrës të denoncojnë pranë strukturave të Policisë çdo paligjshmëri, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet, çdo neglizhencë apo shpërdorim të detyrës nga punonjës policie apo të kujtdo institucioni shtetëror që ka për detyrë të ofrojë shërbim qytetarëve dhe të zbatojë ligjin, duke i garantuar se reagimi i strukturave të Policisë do jetë i menjëhershëm, konform ligjit, ndaj çdo shqetësimi që do adresohet nga ata”, tha ai.

 

Po ndodh...