
Kosova në pritje të qeverisë së re, Kuvendi duhet të zgjedhë një nënkryetar nga përfaqësuesit e komunitetit serb

As të enjten nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke rezultuar në vazhdimin e bllokadës.
Me anë të shortit u hodhën në votim deputetët serbë e ata nga radhët e Listës Serbe nuk morën asnjë votë për, pasi as vetë partia nuk mori pjesë në votim.
Sipas shortit, për herë të dytë u hodh në votim edhe Nenad Rashiq që mbështetet nga Lëvizja Vetëvendosje, por kjo ishte e pamjaftueshme që ai të zgjidhej si nënkryetar.
“Nenad Rashiq ka marrë vetëm 56 vota për, një kundër dhe 20 abstenime. Rrjedhimisht konstatoj se deputeti në fjalë nuk i merr votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit”, tha kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të ri, Dimal Basha.
Seanca e së enjtes u ndërpre pas dështimit të Rashiqit. Pas kësaj, Lista Serbe njoftoi përsëri se Sllavko Simiq mbetet propozimi i tyre e se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit serb.
“Dua t’iu njoftoj se Lista Serbe do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese sepse na janë shkelur të drejtat. Shfrytëzoj rastin që t’i bëjë thirrje deputetëve të partive të tjera shqiptare dhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë që të mos votojnë vendime kundër-kushtetuese”, tha Igor Simiq, deputet i Listës Serbe.
Partitë shqiptare në anën tjetër vazhdojnë me akuzat ndaj njëra-tjetrës. Partia Demokratike e Kosovës thotë se nuk do votojë për një proces antikushtetues e se Lëvizja Vetëvendosje qëllimshëm po e vazhdon bllokadën.
“Pse e mbylli te Nenadi, pse se mbylli te një tjetër?! Pse nuk e provoi edhe një herë, pra është një skenar, një skenar që fatkeqësisht është shumë i dukshëm e jokushtetues”, u shpreh Memli Krasniqi, deputet i PDK-së.
Lëvizja Vetëvendosje në anën tjetër ka akuza për opozitën për mosvotimin e Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit.
“Për neve është e domosdoshme të përmbyllet konstituimi dhe nuk e kuptojmë se cili është qëllimi apo synimi i deputetëve të opozitës ku një pjesë abstenon siç janë deputetët e PDK-së dhe AAK-NISMA dhe një pjesë nuk voton, siç janë deputetët e LDK-së. Nëse jo Nenad Rashiq, kush duhet të jetë nënkryetari i pestë që duhet të jetë nga komuniteti serb?!”, tha Hekuran Murati, deputet i LVV.
Pas zgjedhjes së kryetarit, Dimal Bashës dhe nënkryetarëve shqiptarë dhe një nënkryetari nga komunitetet, Kuvendi ka hasur në një bllokadë tjetër që e pengon konstituimin, proces që ka nisur nga 15 prilli.
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128