
Tokë e përgjakur/ Konflikti mes fiseve Jaku e Sallahu që solli të vrarë e të plagosur në Has dhe një aktakuzë për shtetin shqiptar

Nga viti 2007 e deri sot, Agim Jaku, një qytetar i thjeshtë nga fshati Pla në Has, ka luftuar i vetëm kundër një sistemi të drejtësisë që ka zgjedhur të mos shohë, të mos dëgjojë, dhe më e rënda të mos veprojë.
Çështja e tij, që nisi si një mosmarrëveshje për pronësinë e një rruge dhe trualli, është kthyer në një zinxhir të gjatë padrejtësish, heshtjeje institucionale dhe më në fund, në një tragjedi me jetë të humbura.
Konflikti ka rrënjë të thella që datojnë që prej vitit 1991, kur Agimi ndërtoi një shtëpi në një zonë të debatueshme pronësore.
Ai pretendon se kurrë nuk ka zënë rrugë publike apo kanale vaditëse. Por pavarësisht përpjekjeve të tij për të zbardhur të vërtetën përmes institucioneve shtetërore, përgjigjja ka qenë gjithmonë e njëjtë: heshtje ose refuzim procedural.
Në vitin 2007 ai nisi betejën zyrtare për të sfiduar një dokument që, sipas tij, është i falsifikuar dhe pa bazë ligjore.
Ky dokument i dyshimtë i dha një komshiu të drejtën mbi një sipërfaqe toke që, sipas Bashkisë Has, është tokë shtetërore e ish-ndërmarrjes bujqësore, e ndarë sipas ligjit 7501. Vetë kryetari i Bashkisë Has, Myftar Dauti, ka deklaruar:
“Janë toka të shtetit, të zëna privatisht. Kjo tokë nuk ka qenë asnjëherë e regjistruar në emër të ndonjë individi me dokument të rregullt.”
Megjithatë, sipas Agimit, fqinji i tij, Rahman Sallahu, është pajisur në mënyrë të dyshimtë me një “akt pronësie” në vitin 2022 – një dokument pa kufizime, pa fragmente harte, pa deklaratë toke, dhe pa asnjë bazë zyrtare.
Gjatë viteve, Agimi ka raportuar shkelje të vazhdueshme: dëmtime prone, kërcënime, zaptime rruge, sulme fizike, dhe ndërhyrje me mjete të rënda si fadromat.
Ai ka ngritur zërin në komisione verifikimi, në polici, në Prokurorinë e Kukësit, madje edhe në SPAK. Ka sjellë prova, shkresa, video, dokumente.
Por, siç pohon ai vetë, “në sy të komisionit të verifikimit, në sy të policisë, më kanë kërcënuar. Policia nuk ka ndërhyrë. Ata që ishin prezent, sipas drejtuesve të policisë, janë në hetim disiplinor. Por nuk ka ndodhur asgjë. Asnjë zgjidhje.”
Në një rast, një “ekspert” i emëruar për të vlerësuar terrenin doli të ishte i pa licencuar nga Ministria e Infrastrukturës fakt i dokumentuar me shkresa zyrtare. E megjithatë, ai u lejua të japë opinion teknik mbi një çështje jetike.
Në prill 2024, Agimi i dërgoi Prokurorisë një tjetër shkresë përmes Bashkisë, ku ngre shqetësimin për shpërdorim detyre nga zyrtarë vendorë dhe kërkon ndërhyrje ligjore. Ai e çoi çështjen edhe në SPAK, por përgjigjja ishte e njëjtë: SPAK ia delegoi Prokurorisë së Kukësit, e cila sipas tij nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Pas një përshkallëzimi të dhunës, ku një ditë më parë motra e viktimës (Artjola Sallahu) plagosi me sëpatë prindërit e autorit (Agim dhe Vera Jaku), ndodhi ajo që Agimi kishte paralajmëruar për vite me radhë: djali i tij, Ylber Jaku, qëlloi për vdekje Reshit Sallahun, fqinj dhe kundërshtar në konfliktin për pronën.
Një jetë u mor. Të tjera u shkatërruan. Dhe të gjitha paralajmërimet e bëra, të dokumentuara dhe publike, mbetën pa përgjigje.
Rasti i Hasit nuk është thjesht një dramë familjare. Është një aktakuzë ndaj sistemit shqiptar të drejtësisë: një sistem që sheh, dëgjon, por nuk vepron.
Një sistem ku procedurat e pafundme burokratike zëvendësojnë drejtësinë e vërtetë. Ku dokumentet “dorazi” dhe lidhjet personale vlejnë më shumë se prova ligjore. Ku jeta e qytetarëve nuk ka peshë përballë neglizhencës institucionale.
Kjo është historia e një njeriu që kërkoi drejtësi për 16 vite dhe u la vetëm. E një shteti që dështoi.
Kjo ngjarje duhet të jetë një pikë kthese. Duhet të jetë momenti kur institucionet të shohin pasojat reale të dështimit të tyre. Kur askush nuk mban përgjegjësi për një konflikt që ka prodhuar dhunë, plagosje, dhe një vrasje, atëherë çfarë vlere kanë ligjet dhe shteti?
Për familjen Jaku dhe shumë familje të tjera që përballen me burokracinë e drejtësisë shqiptare, drejtësia nuk është më vetëm një ideal – është një luftë për mbijetesë.

Zgjedhjet nuk i fitoi Rama, i humbi Berisha
ide

Prish shtëpi e bëj kasolle…

Berisha fitoi, ne humbëm!

Pasqyra u ngrit. Por shumëkush nuk deshi të shihte
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128