
Raporti: Operacionet sabotuese të Rusisë në Europë janë katërfishuar që nga viti 2023

Rusia i ka rritur ndjeshëm operacionet sabotuese në të gjithë Evropën, sipas një raporti të ri. Numri i sulmeve ndaj infrastrukturës kritike është katërfishuar që nga viti 2023.
Gjetjet, të publikuara nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, përputhen me një numër në rritje raportimesh nga media, aktakuzash dhe paralajmërimesh të shërbimeve të inteligjencës, të cilat pretendojnë se Moska i ka bërë operacionet e fshehta të sabotimit dhe mbikëqyrjes prioritet kryesor, me qëllim për t’i destabilizuar qeveritë evropiane.
“Derisa Rusia ka dështuar deri tani ta arrijë qëllimin e saj kryesor, kryeqytetet evropiane janë përballur me vështirësi për t’iu përgjigjur operacioneve sabotuese ruse dhe e kanë pasur të vështirë të gjejnë gjuhë të përbashkët për një përgjigje të unifikuar, t’i koordinojnë veprimet, të zhvillojnë masa efektive penguese dhe të vendosin kosto të mjaftueshme ndaj Kremlinit”, thuhet në raportin e institut me bazë në Londër.
Shkalla e të ashtuquajturave sulme hibride, për të cilat fajësohet Rusia, përfshin zjarrvënie, incidente ku anije kanë dëmtuar kabllot nënujore të komunikimit, ndërprerje të sinjaleve të navigimit satelitor GPS dhe sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kompjuterike.
Shumica e sabotimeve, sipas raportit të publikuar më 19 gusht, ndodhën në Ukrainë ose lidhen me përpjekjet evropiane për ta mbështetur ose furnizuar Ukrainën me pajisje ushtarake dhe civile.
Rritja e incidenteve përkoi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, që Kremlini e nisi në shkurt 2022, dhe u rrit ndjeshëm gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke u katërfishuar gjatë kësaj periudhe.
Raporti gjeti gjithashtu një ngadalësim të sulmeve në gjysmën e parë të vitit 2025, megjithëse nuk është e qartë se për çfarë arsye.
Qeveritë evropiane dhe ato perëndimore kanë dëbuar dhjetëra oficerë rusë të inteligjencës, shumë prej të cilëve punonin të maskuar si diplomat, qysh para se të niste pushtimi i Ukrainës.
Kjo i ka detyruar agjencitë ruse të përdorin operacione me ndërmjetës apo mercenarë, duke rekrutuar njerëz – disa prej të cilëve nuk ishin të vetëdijshëm – për të kryer sabotime apo operacione të tjera.
Muajin e kaluar, një gjykatë britanike i dënoi tre burra për zjarrvënie në një magazinë në Londër ku po ruheshin pajisje të destinuara për Ukrainën. Prokurorët thanë se ky komplot ishte orkestruar nga operativë të lidhur me kompaninë mercenare ruse, Wagner.
Në një incident të ndërlidhur, tre ukrainas janë akuzuar për tentativë për zjarrvënie në prona të lidhura me kryeministrin britanik, Keir Starmer.
“Rusia ka shfrytëzuar boshllëqet në sistemet ligjore përmes qasjes së saj të tipit ‘gig economy’, duke ia mundësuar shmangien e përgjegjësisë dhe identifikimit. Që nga viti 2022 dhe dëbimi i qindra oficerëve të saj të inteligjencës nga kryeqytetet evropiane, Rusia ka qenë jashtëzakonisht efektive në rekrutimin online të shtetasve të vendeve të treta për të anashkaluar masat kundër-inteligjencës evropiane”, thuhet në raport.
Zyrtarët rusë nuk reaguar ende ndaj këtij raporti.
Raporti gjithashtu theksoi se qeveritë evropiane kanë investuar pak në mirëmbajtjen e sistemeve të sigurisë për infrastrukturën kritike, edhe pse janë rritur druajtjet se kjo fushatë e fshehtë mund të jetë pjesë e një përpjekjeje afatgjatë të Rusisë.
“Disa shtete anëtare të NATO-s e kanë vlerësuar luftën jokonvencionale të Rusisë si pjesë të përgatitjeve të saj afatgjata për një përballje të mundshme ushtarake me NATO-n”, thuhet tutje në raport./REL

Samiti për Ukrainën që injoroi pyetjet e vështira
ide

Zoti Basha, Demokratët, Kombi dhe ‘Partia Demokratike e Shqipërisë’!


Zjarrvënësi i Demokracisë, tradhtia që dogji të djathtën
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128