Vizita në Moskë, Vuçiç: Shpresoj që BE të më ndëshkojë mua, jo Serbinë!

8 Maj 2025, 11:38 / BOTA ALFA PRESS

Vizita në Moskë, Vuçiç: Shpresoj që BE të

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se pret pasoja për shkak të pjesëmarrjes së tij në paradën ushtarake ruse, por se pret që Bashkimi Evropian ta ndëshkojë atë personalisht, e jo Serbinë.

“Jam i bindur se Serbia do të mbetet në rrugën evropiane. Nëse BE-ja dëshiron të ndëshkojë dikë, le të më ndëshkojë mua. Unë do ta pranoj dënimin dhe do të kërkoj që të mos ndëshkohet i gjithë vendi”, tha Vuçiç për median serbe.

Vuçiç  mbërriti sot në Moskë përmes Bullgarisë, Turqisë dhe Azerbajxhanit, pasi Letonia dhe Lituania nuk i lejuan kalimin e avionit të tij mbi territorin e tyre.

“Udhëtuam përmes Bullgarisë, Turqisë dhe Azerbajxhanit, dhe kur na u lejua korridori, vazhduam rrugën. Mbërrita në Moskë ku më priti zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Aleksandar Grushko, një nga figurat më të rëndësishme të diplomacisë ruse”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se disa anëtarë të qeverisë së Serbisë i kishin sugjeruar masa reciproke ndaj Letonisë dhe Lituanisë, por se ai ishte kundër një veprimi të tillë.

Presidenti serb theksoi gjithashtu se është krenar që, si president i një vendi populli i të cilit luftoi kundër fashizmit, do të marrë pjesë në paradën ushtarake me rastin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.

“Populli serb nuk ka pse të turpërohet, por duhet të jetë krenar për luftën e tij kundër fashizmit. Nëse ndonjë popull ka të drejtë të krenohet me luftën kundër fashizmit, ai është populli serb”, tha kreu i qeverisë serbe.

Ai shtoi se nesër do të takohet me patriarkun rus Kirill, të cilit do t’i dorëzojë një dekoratë, si dhe me presidentin e Kazakistanit, Zhomart Tokajev, ndërsa të premten, pas paradës, fillimisht me presidentin e Kinës, Xi Jinping, dhe më pas me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Vuçiç deklaroi se me Putinin do të diskutojë për një marrëveshje të re për gazin natyror dhe për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), ndaj së cilës Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione për shkak të pronësisë së saj ruse, si dhe për bashkëpunimin politik në nivel ndërkombëtar.

 

Po ndodh...