Rënia e euros po nxit importet në sasi, u rritën 14% në 2024

6 Maj 2025, 12:08 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Rënia e euros po nxit importet në sasi, u rritën 14% në 2024

Kursi i këmbimit ka dhënë një seri efektesh zinxhir në ekonominë e vendit, që nga rënia e eksporteve, falimentet e prodhuesve dhe rritja e importeve në sasi.

Më 2024 u importuan 6,2 milionë tonë mallra me rritje rreth 14% në krahasim me vitin 2023 (shiko grafikun e mëposhtëm). Të dhëna tregojnë se pavarësisht çmimeve më të lira volumi i importeve është zgjeruar, duke mbajtur në trend rritës të ardhurat buxhetore gjatë vitit të kaluar.

Ministria e Financave përllogariti se, efektet negative të kursit të këmbimit mbi të ardhurat doganore vitin e kaluar ishin 17 miliardë lekë ose 170 milionë euro. Mirëpo rënia euros ka pasur një ndikim pozitiv indirekt në ardhurat e doganave, pasi çmimet më të lira kanë rritur importet në sasi.

Rënia e euros i ka bërë importet e mallrave më të lira. Duke qenë se TVSH-ja dhe tarifat e tjera vilen në përqindje të çmimeve, doganat kanë vjelur më pak të ardhura direkte për njësi malli. Por vitin e kaluar importet në sasi u rritem me 14 % dhe në vlerë vetëm më 2.5 %. Rritja e importeve ka kompensuar rënien e të ardhurave që ka krijuar kursi i këmbimit.

Për vitin 2024 , importi i taksuar në peshë është rritur 16% krahasuar me vitin e kaluar ndërsa në vlerë është rritur me 6 %. Ndërsa e kundërta ka ndodhur me eksportet. Ato janë rritur në sasi me 1 për qind, por janë ulur në vlerë me 14 për qind për shkak të rënies së euros.

Kursi mesatar i këmbimit në vitin 2023 ishte 102.8 lekë, ndërsa vitin e kaluar rreth 100.7 lekë. Në vitin 2021 euro këmbehej me 123 lekë, ndërsa në 2016 me 138 lekë.

Të dhënat mbi tregtinë e jashtme të vitit që mbyllëm dëshmuan se ekonomia shqiptare ka humbur konkurrencën në tregjet ndërkombëtare.. Të ardhurat që po fitohen nga turizmi dhe investimet e huaja po ikin jashtë për furnizime me mallra, duke sinjalizuar se sektori i prodhimit në vend që të zgjerohet prej rritjes së vizitorëve po bie në humnerë.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2024, eksportet shënuan rënien më të madhe të paktën që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat më të hershme nga INSTAT. Në anën tjetër importet shënuan një vlerë 894,3 miliardë lekë me rritje vjetore 2.4 për qind, teksa në sasi u rritem me 14%.. Rënia eksporteve dhe rritja e importeve bënë që deficiti tregtar të shënojë rekord historik prej 521,7 miliardë lekësh (5,2 miliardë euro).

Të dhëna të detajuara tregojnë se rritja e importeve po udhëhiqet nga nevojat e sektorit të turizmit dhe ndërtimit për mallra. Për shembull grupet që kanë pësuar rritje të lartë të importeve nga jashtë i takojnë furniturës së hoteleve të tilla si çadra dielli, mobiliet dhe prodhimet e kashtës materiale për ndërtimin si çimento, melanimë, xhama, etj.

Shqipërisë iu deshën gati tre dekada të ngrinte sektorin e prodhimit dhe markën “Made in Albania” për tregjet e Europës, por kursi i këmbimit dhe disa faktorë bashkëshoqërues si rritja e kostove te brendshme dhe rënia e kërkesës nga jashtë kanë rrënuar për dy vite atë që u ngrit me mund për shumë se dy dekada./ MONITOR

 

Po ndodh...

ide