
Ministri jep dorëheqjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryeparlamentar i Kosovës, Aliu: Vendimi i djeshëm nuk është në lartësinë e idealit të Republikës

Liburn Aliu ka njoftuar të mërkurën se ka dhënë dorëheqje si ministër në detyrë në Qeverinë e Kosovës, për shkak të, siç tha, zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës një ditë më parë.
“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, shkroi Aliu në Facebook.
Ai shpjegoi se dorëheqja e tij vjen pasi dje bashkëpartiaku i tij, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Aliu tregoi se e kishte njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e tij menjëherë pas zgjedhjes së Bashës të martën.
“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.
Aliu – i cili është anëtar dhe ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje – nuk mori pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Qeverinë në detyrë për koment në lidhje me dorëheqjen e tij.
Basha, i cili u zgjodh me 73 vota për, njihet për gjuhën e tij të vrazhdë kundrejt atyre që i konsideron kundërshtarë.
Në të paktën pesë postime gjatë gushtit, ai e ka përdorur fjalën “langarecët” për t’i kritikuar opozitën, sistemin e drejtësisë, por edhe mediat.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht.
Sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e kësaj partie, ai ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju Jork, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare”.
Basha, gjithashtu, ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në Universitetin “The New School University”, po ashtu në Nju Jork.
Në politikë, ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë./REL/

Lulzim Basha “Ministër i Jashtëm i Edi Ramës”?!
ide


Pse autostrada Tiranë–Durrës është më e frikshme se ajo nga Kievi në Moskë?

Nuk u ndamë as kur shumëçka na ‘ndante’!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128