Dyshime të forta për spiunazh te Lista Serbe, arrestohet piloti kroat i KFOR dhe e dashura e tij serbe

27 Gusht 2025, 17:26 / KOSOVA ALFA PRESS

Dyshime të forta për spiunazh te Lista Serbe, arrestohet piloti kroat

Një shtetase serbe nga Mitrovica dhe partneri i saj, anëtar i Forcave Ajrore të Kroacisë, janë arrestuar në ishullin Vis nën dyshimin se kanë spiunuar për Serbinë.

Hetimi ndaj tyre është zhvilluar nga policia kroate në bashkëpunim me Europolin. Sipas burimeve të gazetës kroate Index, dyshimet janë se piloti kroat i ka siguruar të dashurës së tij informacione konfidenciale, të cilat më pas ajo i ka përcjellë te Lista Serbe.

Të dy të dyshuarit u intervistuan të mërkurën, ndërsa pritet vendimi gjyqësor ndaj tyre. Mediat kroate raportojnë se piloti ka qenë i angazhuar edhe në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe dyshohet se i ka zbuluar partneres së tij detaje mbi lëvizjet e trupave ndërkombëtare dhe të komunitetit serb në veri të Kosovës, duke filluar nga fundi i vitit 2022.

Hetuesit po ashtu dyshojnë se informacionet përfshinin të dhëna sensitive lidhur me komunën e Zubin-Potokut, zonë e njohur për tensione, bllokada dhe përplasje mes serbëve lokalë dhe autoriteteve të Kosovës.

Çifti akuzohet gjithashtu për shkëmbim informacionesh lidhur me transferimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022 për sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut.

Arrestimi i tij atëkohë shkaktoi protesta dhe ngritjen e barrikadave në Jarinjë e Bërnjak për gati tri javë, duke tensionuar situatën në veriun e Kosovës.

E dyshuara serbe, e cila kishte punuar për një kompani të huaj në Serbi dhe më parë ishte angazhuar si reportere nga Mitrovica, dyshohet se ka qenë ndërmjetëse në përcjelljen e informacionit te Lista Serbe. Hetuesit kanë gjetur komunikime të shumta në telefonat e tyre që lidhen me aktivitete spiunazhi.

 

Po ndodh...