
Alfred Moisiu mori titullin “Honoris Causa”, Spiropali: Ish-presidenti u përket të rrallëve që kemi fatin të kemi midis nesh

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë dhe përshëndeti sot në ceremoninë e dhënies së titullit Honoris Causa, ish-Presidentit Alfred Moisiu nga Universiteti Europian i Tiranës.
Në fjalën e saj, Kryetarja Spiropali shprehu vlerësimet për Moisiun, duke theksuar se ish-Presidenti i përket të rrallëve dhe kemi fatin që është midis nesh nga brezi i antifashistëve dhe partizanëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, në të cilën mori pjesë në moshë fare të re.
9 Maji është Dita e Europës, e cila këtë vit shënon 75-vjetorin. Kjo ditë është në çdo vit frymezuese, por është më tepër e tillë sot, kur Shqipëria është në pragun e Bashkimit Europian, me objektivin strategjik kombëtar për t’u anëtarësuar brenda kësaj dekade.
Dita e Europës rri pranë e pranë 8 Majit, Ditës së Fitores mbi fashizmin, e cila këtë vit shënon 80-vjetorin.
Këto data simbolike nuk i lidh vetëm kalendari, por fakti që njera presupozon tjetrën. Sepse vlerat e lirisë dhe të antifashizmit qëndrojnë në themelet e Bashkimit Europian.
Universiteti Europian i Tiranës gjatë historisë së tij gati njëzetë vjeçare ka nderuar me këtë titull mjaft personalitete të njohura, të vendit dhe vende të tjera.
Por në asnjë rast ky titull nuk ka pasur këtë domethënie që ka ky i sotmi. Sepse asnjeri prej rasteve të personaliteteve të nderuara nga Universiteti juaj nuk përmban historinë e gjatë që rrezaton Alfred Moisiu.
Figurën dhe personalitetin e të cilit do ta portretizoja si filli që përshkon tre kohë.
Në të tre kohët ka dalë në pension dhe rithirrur në jetën publike për të shërbyer, për shkak të cilësive të tij të spikatura.
3.
Alfred Moisiu u përket të rrallëve që kemi fatin të kemi midis nesh nga brezi i antifashistëve dhe partizanëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, në të cilën mori pjesë në moshë fare të re.
Por kohën e parë, atë të Luftës, Alfred Moisiu e ndau me babanë e tij, Spiro Moisiun.
Është nga rastet tipike kur nga një familje u rreshtuan në rradhët e brigadave partizane, si luftëtarë me uniformë, dy breza, ati dhe biri.
Ati për të shërbyer si Komandant i Ushtrisë Partizane, ndërsa biri si një ushtar i thjeshtë, madje i vogël në moshë, që u poq dhe u bë djalë në luftë.
Nuk po bëj biografi, por nuk mund të mos them dy fjalë për Spiro Moisiun, i cili, para se të bëhej Komandant i Ushtrisë Partizane, dëshmoi një gjest të lartë patriotik, kur kthehu mbrapsht batalionin që drejtonte, i mobilizuar nga Italia fashiste për të sulmuar Greqinë nëpërmjet kufirit shqiptar.
Spiro Moisiu e dinte që ligjet e luftës ishin të pashpirta, por nuk pyeti për pasojat e tyre, sepse ishte i bindur se shqiptarët nuk mund të luftonin kundër popullit fqinj grek.
Kjo vetëdije kombëtare, fqinjdashëse e paqësore do të zhvillohej edhe në personalitetin e Alfred Moisiut, jo vetëm gjatë përvojës partizane, por gjatë gjithë jetës së tij.
4.
Koha e dytë, ishte për Moisiun, po kaq e vështirë, madje në disa raste edhe më e rrezikshme sesa lufta kundër pushtuesit.
Me Atin e mënjanuar nga shokë-udhëheqësit komunistë, të cilët i kishte udhëhequr në Luftën Partizane, nuk do të ishte e lehtë mbijetesa politike dhe karriera për inxhinierin ushtarak të diplomuar me Medalje të Artë.
Vetëm cilësitë e tij të rralla mund të shërbenin, dhe shërbyen si mburoja e tij, në detyrat delikate në të cilat shërbeu dhe ku vetëm një hap e ndante suksesin nga gremisja.
Pjesë e fatit dhe rrethanë e këtij shpëtimi ishte edhe dalja në pension në moshën 56-vjeçare.
5.
Koha e tretë është më e rëndësishmja në jetën e Alfred Moisiut, të cilën e urojmë të bëhet edhe më e gjatë.
Ndryshimet e vrullshme demokratike në Shqipëri e rithirrën në skenë, për të shërbyer gjatë viteve 1991-1992 si Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë Teknike dhe në vitin 1997, pas disa vitesh shërbimi në institucione, ridel në pension.
Prej nga më 24 qershor të vitit 2002 rithirret në jetën publike dhe zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë. Për të qenë i pari dhe i fundit President konsensual i Republikës, detyrë në të cilën shërbeu me përkushtimin e tij të njohur, si ushatarak, politikan, atdhetar dhe burrë i shquar shteti.
I njohur dhe i vlerësuar për lidershipin e natyrshëm, principialitetin, virtytet e larta dhe qëndrimin mbi palët, të cilat nuk ngurroi t’i vinte në rrjesht, kur ishte nevoja për të ardhmen dhe dobinë e Shqipërisë.
Jemi krenarë që e kemi pasur dhe e kemi Alfred Moisiun, antifashistin, partizanin, inxhinierin, funksionarin publik me cilësi të rralla, Presidentin, prindin e shkëlqyer dhe njeriun fort të admiruar nga të gjithë.
I kam ende mbresat e një takimi të ngrohtë e miqësor me Presidentin Moisiu, buzë detit, në Kavajën e tij të dashur të origjinës, pak javë më parë.
Përgëzime dhe jetë të gjatë, zoti President.

Shqipëria voton nën hijen e Trumpit
ide

Napoleoni u tregua revolucionar pa dashjen e tij


E djathta qytetare që ofron Lulzim Basha
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128