BIRN: Numërimi i votave të diasporës kthehet në një maratonë

15 Maj 2025, 14:00 / POLITIKË ALFA PRESS

BIRN: Numërimi i votave të diasporës kthehet në një

Vota e diasporës vlerësohej si një nga risitë e zgjedhjeve të 11 majit, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po përballet me vështirësi për numërimin e saj. Në Parkun Olimpik në Tiranë, ku po punohet prej së dielës, grupet e numërimit kanë hapur deri mesditën e së enjtes rreth 127 mijë zarfa nga më shumë se 194 mijë vota të mbërritura në total.

Sipas zyrtarëve të KQZ-së dhe vëshguesve të partive politike, vonesat lidhen me procedurën e komplikuar të dokumentimit të votës si diasporës si dhe lodhjen e numëruesve. Vëzhguesit shpjegojnë se për të mbërritur tek fleta e votimit duhet të hapen më parë dy zarfa.

Edhe drejtoresha e Votimit nga Jashtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Jona Josifi, shpjegon se grupet e numërimit të votës së diasporës kanë një volum pune të shtuar si pasojë e setit të dokumentacionit zgjedhor në këtë rast.

“Nëse numëruesit brenda vendit, kur hapin kutitë e votimit, gjejnë atje fletët e votimit dhe fillojnë menjëherë i vendosin në stivë në tavolinë, në rastin e votave nga jashtë, kur hapim kutinë e votimit, numëruesit gjejnë një set për çdo zgjedhës,” shpjegon Josifi.

“Ky set ka zarfin B të mbyllur, brenda të cilit gjendet zarfi A, i mbyllur dhe ky, ku brenda të cilit gjendet fleta e votimit,” thotë Josifi dhe sqaron se numëruesit, pasi vendosin në stivë mbi tavolinë stetet që janë në kuti, fillojnë të hapin fillimisht zarfin B ku gjendet zarfi A dhe pasi hapin këtë të fundit, prej andej merret fleta e votimit që duhet të shpaloset pasi ka qenë e palosur për lehtësi paketimi.

Pasi shpalosen dhe vendosen mbi tavolinë të gjitha fletët e votimit të nxjerra nga paketimi seteve, kalohet në kamera pjesa e prapme ku gjendet vula e KQZ dhe më vonë nga ana e përparme ku evidentohet subjekti politik i shënuar prej votuesit.  Josifi nënvizon se për të kryer numërimin e një vote nga jashtë, kryhen katër herë më shumë veprime se në rastin e numërimit të votave të brendshme.

Në vijim, Josifi shpjegon se dhe stafi i numëruesve është lodhur gjatë këtyre ditëve, pasi disa prej tyre kanë qenë edhe pjesë e komisioneve në qendrat e votimit, si dhe u duhet të kryejnë më shumë veprime. Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit pritej me interes të lartë në fillimin e procesit të numërimit, por rezultatet e deritanishme tregojnë pothuajse një pasqyrë të ngjashme me votat brenda vendit.

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në 13:30, Partia Socialiste kishte marrë 54% të votave, kundrejt 28% të votave që kanë shkuar në favor të koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike.

Mes partive të reja, koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë mbi 8% të votave të diasporës, e ndjekur nga Partia Mundësia me 3.7% dhe Lëvizja Bashkë me 2.7%.

Sipas Josifit nga KQZ, numërimi i votave nga jashtë për subjektet politike mund të përfundojë të premten, në orët e vona të mbrëmjes, për t’i hapur rrugën votimit preferencial për kandidatët./ Reporter.al

 

ide