Lapaj denoncoi kërcënimin e kandidates për deputete/ Reagon policia e Durrësit: Arrestohet autori

5 Maj 2025, 22:41 / POLITIKË ALFA PRESS

Lapaj denoncoi kërcënimin e kandidates për deputete/ Reagon

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 45-vjeçar, i cili është denoncuar ditën e sotme nga kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, se kandidatja e këtij koalicioni për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Durrësit, Valbona Myhedini është kërcënuar me armë.

Mësohet se në pranga ka rënë 45-vjeçari me iniciale A. B., të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjet një pistoletë plastike, lodër.

Sipas bluve, këtë armë 45-vjeçari e mbante në brez dhe dyshohet se ka ngritur xhupin duke ja treguar Valbona Myhedinit për të kërcënuar.

Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një deklaratë të bërë publike në rrjetet sociale nga shtetasi A. L., drejtues i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”, se një person i armatosur në Durrës ka kërcënuar me armë kandidaten për deputete të këtij subjekti, znj. V. M., dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, sqarojmë se:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, sapo janë njohur me denoncimin publik të bërë nga z. A. L., menjëherë kanë nisur punën për verifikimin e rastit.

Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve në terren, kanë bërë të mundur identifikimin e personit dhe kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës është paraqitur për të bërë kallëzim kandidatja për deputete, znj. V. M.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe kontrolleve intensive në terren, rreth orës 21:15, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Durrës të shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një pistoletë plastike (lodër), të cilën 45 vjeçari e mbante në brez dhe dyshohet se ka ngritur xhupin duke ja treguar shtetases V.M për të kërcënuar.

Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet procedurale në ngarkim të tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe subjektet politike se shërbimet e Policisë janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor, të baraslarguara nga subjektet politike dhe vetëm në shërbim të ligjit.

 

Po ndodh...