“Rama Ik!” – I ndërpret fjalën, Rama i kthehet qytetarit në Fushë-Krujë: Tani plasi syri i keq, kam për ta pa më 11 maj tashi

7 Maj 2025, 11:49 / POLITIKË ALFA PRESS

“Rama Ik!” – I ndërpret fjalën, Rama i kthehet

Kryesocialisti Edi Rama ka vijuar turin elektoral për zgjedhjet e 11 majit, teksa ditën e sotme e nisi nga zona e Krujës, me mitingun përmbyllës.

I shoqëruar nga kryebashkiakia e Durrësit dhe drejtuesja politike e qarkut për PS, Emiriana Sako, kryebashkiaku Artur Bushi, kandidatët dhe strukturat, kryeministri mori takim me qytetarët dhe mbështetësit për të prezantuar investimet gjatë një dekade në këtë zonë dhe projektet në të ardhmen për Fushë-Krujën.

Rama e nisi fjalimin e tij të shkurtër me pasojat e tërmetit dhe traumën që pësuan banorët e zonës së Krujës dhe qarkut të Durrësit, si dhe reagimi i shtetit me banesat e reja.

"Për familjet e goditura nga tërmeti u ndërtuan banesat e reja dhe u strehuan pas asaj ngjarje të rëndë. Janë shpërndarë apartamente dhe po vijon puna për pjesën e mbetur. Shpërndarja e 350 apartamenteve të fundit, ka mbetur për shkak të periudhës zgjedhore dhe do bëhet së shpejti, pasi të përfundojë ky proces që ka rregulla dhe ligje të caktuara. Do realizojmë edhe ëndrrën e vjetër të Krujës, për të pasur një rrugë lidhëse drejtpërdrejtë me Tiranën. Tani kjo rrugë është pjesë e programit tonë", u shpreh Rama mes të tjerash.

Ai vuri theksin edhe tek informimi për investimet 10-vjeçare të qeverisë në qarkun e Durrësit dhe veçanërisht në Krujë, teksa shpjegoi edhe tabelat kombëtare të arritjeve në disa fusha.

"Ka të vërteta të shtrembëruara që ju servirin dhe ju s'keni nga i merrni vesh sepse ju flasin për gënjeshtra çdo mbrëmje, teksa këneta dhe bufi e la vendin në rrënim", tha Rama për shifrat që deklaroi se qytetarët nuk janë informuar siç duhet.

Ai shpjegoi borxhet e lëna nga qeveria e kaluar, "gropa ekonomike" siç e quajti ai, buxhetin dhe prodhimin e brendshëm, teksa nënvizoi se deri më 2030 ky buxhet do trefishohet, nga 8 mld që është aktualisht, në mbi 30 miliardë euro.

Gjithashtu shpjegoi uljen e shifrave të papunësisë, zhvillimit të biznesit, rritjes së rrogave dhe pensioneve, uljes së taksave, duke i krahasuar me shifrat e vitit 2013 kur PS erdhi në pushtet.

 

Po ndodh...