Ndahet nga jeta dr. Kolec Daja, kontribuoi në shërbimin e farmaceutikës

6 Gusht 2025, 21:03 / AKTUALITET ALFA PRESS
Ndahet nga jeta dr. Kolec Daja, kontribuoi në shërbimin e

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë njoftoi sot ndarjen nga jeta të dr. Kolec Dajës. Dr. Koleci lindi më 14 gusht 1948 në qytetin e Shkodrës. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e Pukës. Gjatë viteve 1967-1971 ndoqi studimet e larta në degën e farmacisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universitet i Tiranës.

Pas diplomimit u emërua drejtues i farmacisë në Pukë. Nga viti 1987 deri në vitin 1992 punoi si drejtor i Ndërfarmës Pukë. Më 20 shkurt 1992 u emërua me punë në Ministrinë e Shëndetësisë në degën farmaceutike si kryespecialist, post të cilin e mbajti deri në vitin 1994.

Nga viti 1994 deri në vitin 1998 punoi si drejtor i “Fufarmës” në Tiranë. Në vitin 1998 themeloi farmacinë private “Daja”, në Tiranë, ku ushtroi profesionin e farmacistit në pozicionin e drejtuesit teknik, deri në momentin e ndarjes së tij nga jeta.

Dr. Koleci ishte veçanërisht i njohur për pasionin dhe mjeshtërinë e tij në fushën e përgatitjeve galenike, duke ndjekur me rigorozitet dhe kujdes profesional të gjitha standardet farmaceutike për krijimin e preparative të personalizuara galenike, e duke investuar vazhdimisht për të ofruar formulime të personalizuara për pacientët.

Ndarja nga jeta e dr. Kolecit është një humbje e madhe jo vetëm për familjarët e tij, por dhe për shërbimin farmaceutik, për të afërmit, miqtë, kolegët, pacientët që u shërbeu me aq përkushtim dhe të gjithë ata që e njohën dhe patën fatin të punonin me të.

Po ndodh...