
Friedrich Merz nuk u zgjodh kancelar, ja kur do të zhvillohet raundi i dytë i votimit! Situata e paprecedentë në Bundestag

Që votimi për kancelarët në Gjermani është akt me të panjohura, kjo nuk është e re. Këtu ndikon fakti që kandidati për kancelar zgjidhet me votë të fshehtë. Ish-kancelari i pasluftës Konrad Adenauer u zgjodh në post me vetëm një votë me tepër se shumica e nevojshme absolute. Vetëm një votë më tepër se shumica e nevojshme mori në votimin për kancelar edhe Helmut Kohl. Kjo nuk i pengoi ata ta drejtojnë përkatësisht 14 vjet dhe 16 vjet Gjermaninë.
Por sot kemi të bëjmë me një sensacion: kreu i CDU-së Friedrich Merz nuk u zgjodh në raundin e parë të zgjedhjeve për kancelar në Bundestag. Në një votim të fshehtë, ai mori 310 vota, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316. Grupet parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD kanë një numër prej 328 vendesh në Parlament.
“Deputeti Friedrich Merz nuk mori shumicën e kërkuar prej të paktën 316 votash,” deklaroi Presidentja e Bundestag-ut Julia Klöckner. “Në përputhje me Nenin 63 (2) të Ligjit Themelor, Kancelari Federal i Republikës Federale të Gjermanisë nuk është zgjedhur.” Sipas Klöcknerit, në votim morën pjesë 621 nga 630 deputetët.
Grupet parlamentare diskutuan procedurën
Kjo është e paprecedentë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë. Asnjëherë më parë, pas zgjedhjeve të Bundestagut dhe negociatave të suksesshme të koalicionit nuk ka dështuar në Bundestag një kandidat për kancelar. Si rezultat, seanca e Bundestagut u ndërpre. Grupet parlamentare diskutuan se si të vazhdojnë.
Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, deklaroi më pas se ka thirrur një raund të dytë për nesër, të mërkurën. Bundestagu gjerman planifikon të rifillojë seancën, e cila u ndërpre pas zgjedhjes së dështuar të kancelarit, në mesditë. Sipas burimeve të Bundestagut, kjo u parapri nga konsultime midis Presidentes të Bundestagut dhe grupeve parlamentare.
Mbështetje nga CDU për Merzin
Kreu i CDU-së, Friedrich Merz, është i vendosur të kandidojë përsëri dhe ka marrë mbështetje dërrmuese në grupin parlamentar. Brenda grupit parlamentar të partive unioniste, u deklarua se partitë unioniste mbështesin Merzin, se kjo është në ADN-në e Unionit. Votat e mbetura mund të vinin vetëm nga SPD-ja. Duartrokitje për Merzin u dëgjuan në sallën e grupit parlamentar të partive unioniste për disa minuta.
Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann, ka kërkuar një vendim të shpejtë. Evropës i duhet një Gjermani e fortë, deklaroi Linnemann në Bundestag. Kjo është arsyeja pse nuk mund të presim me ditë të tëra. “Kjo nuk është shaka,” deklaroi politikani i CDU. Procedura ligjore po studiohet, tha ai, “sepse nuk ka shumë përvojë në këtë fushë”.
Merz dhe bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, kishin theksuar të hënën (05.05) se kishin një shumicë të qartë të grupeve të ardhshme parlamentare për zgjedhjen e kancelarit. Në mbledhjet e jashtëzakonshme të grupeve parlamentare të mbajtura në mëngjes, si partitë unioniste ashtu edhe SPD konfirmuan se të gjithë deputetët ishin të pranishëm.
Kushtetuta gjermane përcakton në raste të tilla se çfarë ndodh më pas. Neni 63 thotë se “nëse kandidati i propozuar nuk zgjidhet, Bundestagu mund të zgjedhë një kancelar federal në një votim të dytë brenda 14 ditëve, me më shumë se gjysmën e deputetëve të tij”. Gjatë këtyre dy javëve, mund të ketë edhe aq raunde sa dëshirohet me kandidatë të ndryshëm. Megjithatë, për t’u zgjedhur nevojitet përsëri një shumicë absolute prej të paktën 316 votash. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme për të zgjedhur një kancelar, atëherë do të mjaftojë shumica e votave të deputetëve të pranishëm.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, fakti që deputetët e partive unioniste dhe SPD-ja nuk votuan për Merzin u shpjegua në qarqet e koalicionit me ekzistencën e një sërë pakënaqësish. Midis tyre mund të ishin politikanë që nuk fituan poste në formimin e qeverisë.
Megjithatë, SPD kishte gjithashtu rezerva themelore për Merzin. Edhe partitë unioniste dyshojnë se votat e munguara erdhën nga SPD-ja, sipas një burimi të konsultuar nga Reuters. Por grupi parlamentar i SPD-së nuk e sheh përgjegjësinë për rezultatin që bie brenda radhëve të tij. “Ne supozojmë se ka konsensus të plotë. Askush nuk mungonte”, sipas deklaratave të personave pranë Klingbeilit, të raportuara nga agjencia e lajmeve dpa. Megjithatë, qarqe të tjera kishin sugjeruar më parë se pakënaqësia me pushtetin e Klingbeilit mund të kishte kontribuar në refuzimin për të dhënë mbështetjen e tij.
Nga ana tjetër tek partitë unioniste, kritika solli ndryshimi i politikës financiare pas zgjedhjeve, me lehtësimin e frenës së borxhit për shpenzimet e mbrojtjes dhe një fond të veçantë prej miliarda eurosh për infrastrukturën.
Seanca e votimit u ndoq në sallë nga një numër i madh të interesuarish. Në mënyrë të veçantë, Presidentja e Bundestagut Julia Klöckner përshëndeti në fillim të seancës në sallë ish-kancelaren Angela Merkel. Deri në zgjedhjen e kancelarit të ri, Olaf Scholz vazhdon të kryejë funksionet si kancelar në detyrë./DW

E djathta mes pasqyrës së Berishës dhe Bashës!
ide


Kolapsi moral dhe politik i PD-së

Nuk mund të serviret më si premtim, ajo ç’ka përbën detyrim
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128