
"Ta bëjmë Shqipërinë të madhe sërish"/ Prestigjiozja The Wall Street Journal, bisedon me LaCivitën: Sa më i varfër vendi, aq më e madhe pagesa!

Konsulenti politik përpiqet të sqarojë strategjinë për Sali Berishën, ish-kryeministër i cili është nën sanksione nga SHBA.
Një mbrëmje në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, një amerikan kaloi mes një turme entuziaste, hipi në skenë dhe bëri një pyetje:
"Kush është gati ta bëjmë Shqipërinë të madhe sërish?"
Ai amerikan ishte Chris LaCivita, një nga strategët kryesorë të fushatës së Donald Trump në 2024, i cili tani po përpiqet të zbatojë të njëjtën strategji për Sali Berishën, ish-kryeministër dhe lider i opozitës në Shqipëri, që është nën akuza për korrupsion dhe i sanksionuar nga SHBA. Nëse partia e tij fiton zgjedhjet parlamentare më 11 maj, Berisha mund të rikthehet si kryeministër.
LaCivita ka mbajtur fjalime në mitingje të mëdha, ka ndihmuar në krijimin e reklamave televizive, ka marrë pjesë në takime virtuale me mijëra shqiptarë dhe ka udhëtuar tre herë në Shqipëri për ngjarje publike. Ai është bërë një figurë qendrore në vendin me rreth 2.7 milion banorë, përpara zgjedhjeve.
“Ka një pjesë të elektoratit në Shqipëri që më pëlqen dhe një pjesë që jo,” tha LaCivita me të qeshur në një intervistë të fundit.
I njohur për stilin luftarak dhe gjuhën e drejtpërdrejtë, LaCivita ka punuar për dekada në politikën republikane dhe pas fitores së Trump në 2024, ka kërkuar mundësi për fjalime me pagesë dhe konsulencë politike jashtë SHBA-së, përfshirë Australinë dhe Shqipërinë.
Ai ka përfshirë edhe figura të tjera nga rrethi i Trump në këtë fushatë në Shqipëri, si Paul Manafort (ish-menaxheri i fushatës së Trump në 2016), i cili sipas LaCivita jep “këshilla strategjike të nivelit të lartë,” dhe Tony Fabrizio, anketuesi i fushatës së Trump për 2024. Ndërkohë, Berisha ka punësuar edhe firmën e lobimit Continental Strategy, ku punon vajza e shefes së stafit të Trump, Susie Wiles, për të ndihmuar në heqjen e sanksioneve ndaj tij.
Manafort, i cili ka vuajtur burg për mashtrime tatimore dhe bankare për punë të mëparshme në politikën ndërkombëtare (para se të falej nga Trump), dhe Fabrizio nuk kanë komentuar për mediat.
Konsulentët politikë amerikanë, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, prej vitesh ndihmojnë fushata politike në vende të huaja. James Carville, një nga konsulentët më të famshëm demokratë, ka punuar në Peru, Greqi, Honduras dhe vende të tjera. Ai thotë:
“Sa më i varfër vendi, aq më e madhe pagesa.”
Në Shqipëri, Berisha përballet me akuza të rënda për korrupsion. Ai është i sanksionuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan që nga viti 2021 për përvetësim të fondeve publike dhe përdorim të pushtetit për të pasuruar miqtë dhe familjarët. Në Shqipëri, akuzohet për ndihmë dhëndrit të tij në privatizimin e një prone në Tiranë për ndërtim pallatesh. Aktualisht është nën arrest shtëpie dhe ka mbajtur fjalime përkrahësve nga shtëpia.
Kryeministri aktual, Edi Rama, udhëheq Partinë Socialiste dhe kandidon për një tjetër mandat. Një çështje qendrore në zgjedhje është ligji i ri që lejon më shumë se një milion shqiptarë të emigruar të votojnë. Berisha e ka përdorur këtë si argument kundër Ramës, duke theksuar largimin masiv të shqiptarëve.
Rama, nga ana tjetër, e ka përdorur shpesh përfshirjen e LaCivita-s për ta sulmuar Berishën. Madje, ka prodhuar edhe reklama kundër tij.
LaCivita e krahason situatën e Berishës me ndjekjen penale të Trump:
“Të njëjtët njerëz që dënuan Trump-in, po përdorin të njëjtat metoda këtu.”
Ai nuk zbulon shumën që po paguhet, por thotë se është “në përputhje me një fushatë kombëtare”, dhe do të publikohet nga partia shqiptare pas zgjedhjeve. Ekspertët mendojnë se marrëveshja kap shifrën mbi 1 milion dollarë.
Edhe pse shumë konsulentë regjistrohen sipas Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA) kur përfshihen në komunikim me zyrtarë amerikanë, LaCivita thotë se nuk ka kontaktuar me ndonjë politikan amerikan dhe nuk ka ndërmend të regjistrohet si agjent i huaj.
“Aktiviteti im është tërësisht i përqendruar në Shqipëri,” tha ai.
Ai shton se do të donte të merrte edhe klientë të tjerë ndërkombëtarë, por në vitin e ardhshëm do të fokusohet sërish në politikën amerikane për zgjedhjet afatmesme.
Fushata e tij për Berishën ndjek stilin e njohur të Trump: sulme ndaj qeverisë për çmimet e larta, kriminalitetin dhe inflacionin. Në një miting të fundit, tha:
“Në 2024, socialistët tentuan të burgosin Donald Trump. Dështuan. Në 2025, në Shqipëri, socialistët duan të burgosin të gjithë opozitën. Do të dështojnë.”
Të nesërmen, LaCivita udhëtoi me Berishën drejt Milanos për të kërkuar mbështetje nga emigrantët shqiptarë atje.
Ai pranoi se përkthimet në shqip nuk janë gjithmonë të lehta, veçanërisht për slogane si “Make Albania Great Again.”
“Nuk ka një përkthim të saktë për këtë. Më shumë tingëllon si ‘ta bëjmë Shqipërinë madhështore’,” tha ai me të qeshur./ Përktheu Alfapress.al

E djathta mes pasqyrës së Berishës dhe Bashës!
ide


Kolapsi moral dhe politik i PD-së

Nuk mund të serviret më si premtim, ajo ç’ka përbën detyrim
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128