Fushata elektorale One Man Show

26 Prill 2025, 11:53 / IDE NGA ROLAND LAMI

Fushata elektorale One Man Show

Fenomeni i “amerikanizimit të fushatave zgjedhore” në Evropë i referohet procesit përmes të cilit praktikat, format dhe teknikat e përdorura në fushatat zgjedhore në SHBA, adoptohen gjithnjë e më shumë nga partitë politike dhe kandidatët në vendet evropiane. Pavarësisht se shumica e vendeve janë Republika Parlamentare dhe shumë pak Presidenciale, apo Gjysëmpresidenciale. Fokusi i zhvendosjes gjatë fushatës nga partia te lideri politik, (një “kryeministrizim” i politikës), ka bërë të mundur që strukturat partiake dhe ekipi mbështetës, të jetë inekzistent. Një dukuri e tillë në kontekste si Shqipëria përfocohet edhe më shumë, nga kultura e kultit të individit dhe mungesa e traditës së respektimit të intitucioneve.
Ky trend në tërësi gërshetuar edhe nga tradita lokale në veçanti siç është rasti i Shqipërisë, ka bërë të mundur që dy liderat kryesor, në rastin konkret Berisha dhe Rama, të shndërrohen në One Man Show. Hapësira mediatike dhe rrjetet sociale, sa më shumë ofrohemi afër ditët së mbajtjes së zgjedhjeve, aq më tepër uzurpohet nga këto dy figura kryesore, të cilat sfumojnë ndjeshëm kandidatët e tjere të partive respektive dhe drejtuesit e partive të reja.
Kjo strategji e ndjekur nga Rama dhe Berisha, nëse te i pari ka arsye të theksohet edhe më shumë, te Berisha ka disa kushtëzime që mund të kthehen në kosto.
Së pari, One Man Show i Ramës në zgjedhjet e 2017 dhe 2021 i ka krijuar bindjen që përsëritja e të njëjtës strategji, nuk ka pse mos të përsëris të njëjtin sukses zgjedhor. Në krahun tjeter, sukesi i mëparshëm e ka justifikuar arrogancën e materializuar në idenë që “Partia jam Unë” dhe “Unë jam suksesi i partisë”. Në pjesën dërmuese të socialistëve qarkullon ideja, se Rama di ti fitoj zgjedhjet. Kjo situatë e krijuar në vite e ka bërë edhe më shumë legjitime perqëndrimin e të gjithë fushatës vetem të Rama dhe askush tjetër.
Në krahun tjetër, One Man Show i Berishës, ka njohur dritë hije mbas dorëheqjes së 2013. E gjithë fushata e organizuar nga Basha në 2017 dhe 2021 ishte ideuar duke e mbajtur larg Berishën nga kamarat, jo në krah. Sigurisht, një shpjegim mund të lidhet me nevojën e Bashës si lider i ri i PD për të konsoliduar imazhin e tij te demokratët dhe te e djathta në tërësi, por nuk janë të pakta sondazhet të asaj periudhe që nxirrnin me kuota të ulta preferencën e qytetarëve ndaj figurës së ish liderit historik të PD. Jo pak shpreheshin atëhere se aktivizimi i Berishës në fushat më shumë është kosto për PD, sesa favorizon Bashën të siguroj më shumë vota. Riaktivizimi i Berishës në epiqendrën e fushatës mbas shumë vitesh vizualisht larg saj është normale të shoqërohet me pasiguri dhe skepticizëm. Jo pak demokrat shprehin rezerva për përqëndrimin e fushatës vetëm te Berisha, pasi është e vërtetë që ka shumë vota brenda PD, por jashtë saj ka shumë vota antiberisha.
Së dyti, Rama ndryshe nga Berisha në sondazhet e 2017, 2021 dhe 2025 ka më shumë vota personale se partia që drejton. Pavarësisht se ka njëmbëdhjet vite në drejtim të bashkisë dhe 12 vite kryeministër, perceptimi i votuesit është më i lartë në përqindje për të si kandidat për kryeministër, sesa për partinë që drejton. Paradoksalisht, në vend që të ishte një figurë e konsumuar për shkak të pushtetit perceptohet si më i preferuar sesa partia që drejton. Në këto kushte e ka të legjitimuar personalizimin e fushatës pasi shpreson që vota preferenciale ndaj tij të kanalizohet edhe pro partisë që drejton. Ndërsa Berisha ndryshe nga Rama është më pak i preferuar si kryeministër i ardhshëm krahasuar me partinë që drejton. Në vend që të tërheq partinë për të arritur në nivelin e votave të tij personale ndodhe e kundërta e tërheq partia atë. Në këto rrethana, strategjia e PD në vend që të ishte drejt shpërndarjes së vemëndjes edhe në figura të tjera dhe sfumimit të figurës kryesore Berisha, përkundrazi është e përqëndruar ditë- natë, vetëm te Berisha.
Së treti, Partia Socialiste garon e vetme jo në koalicion, kështu që është e detyruar të perqëndrohet vetëm te një figurë, aq më shumë që i ka kuotat më të larte se partia që drejton. Ndërsa Partia Demokratike drejton koalicionin “Shqipëria Madhështore” me 25 parti dhe një pjesë e drejtuesve të këtyre partive aleate kanë imazhin e tyre në publik për shkak se kanë gjatë në politik. Strategjia për të mbajtur fokusin vetëm te Berisha dhe jo edhe te drejtues të partive aleate, krijon idenë në publik se “Koalicioni Madhështor” është vetëm Partia Demokratike dhe jo edhe 24 parti të tjera. Edhe atë pak avantazh që mund të krijoj koncepti i frontin opozitar apo strategjisë për grumbullim mekanik votash, nuk manifestohet pasi është reduktuar i gjithë imazhi i fushatës te një njeri.

 

Po ndodh...

ide