Me 30 plumba në shtëpi, si u prangos vëllai i deputetit të PS-së në Peqin

21 Korrik 2025, 15:43 / POLITIKË ALFA PRESS

Me 30 plumba në shtëpi, si u prangos vëllai i deputetit të

Një kontroll blic i urdhëruar nga prokuroria e Elbasanit, i cili kishte në fokus, zyrtarë të 7 bashkive që veprojnë në qarkun e Elbasanit, ka zbuluar 30 plumba pistolete në banesën e një zyrtari në bashkinë e Peqinit.

Kontrollet kishin marrë shtysë nga një hetim që prokuroria, ka nisur për keqmenaxhimin e inceneratorit të Elbasanit, ku veç banesës së administratorit të “ECO-ELB”, në fokus kanë qenë banesat e disa zv/kryetarëve të bashkive, drejtorëve Juridikë, të kabinetit dhe të Financave.

Në thelb janë kontrolluar ata njerëz që në themelimin e shoqërisë “ECO-ELB”, kanë pasur detyrën e mbikëqyrjes së kontratës dhe rolin e drejtuesit teknik.

Ndërsa kontroll banese i është nënshtruar dhe një administratori të një shoqërie private, që shërben si nënkontraktore e “ECO-ELB” dhe operon për sistemimin e mbetjeve urbane në landfill.

Një ndër shtëpitë e kontrolluara është dhe ajo e Denis Hasallës me detyrë, Drejtor Kabineti në bashkinë Peqin dhe përgjegjës për mbikëqyrjen e situatës në shoqërinë “ECO-Elb”.

Gjatë kontrollit Denis Hasallës i janë gjetur 30 plumba pistolete në banesë. Hasalla është vëllai i deputetit të PS në Elbasan, Saimir Hasalla. Ndërsa ky i fundit është dhëndëri i Aqif Rakipit, ish-deputetit të PDIU-së dhe PS në Peqin.

“Ora News” mëson se për këtë çështje janë marrë në pyetje 46 persona.

Ndërsa pas nisjes së hetimeve, shoqëria aksionere “ECO-ELB” dhe 7 bashkitë e qarkut Elbasan, vendosën në muajin maj 2025 të ndryshojnë kushtet e kontratës, pasi rezultoi se për 3 vite e gjysëm të gjitha bashkitë kanë paguar miliona lekë për një shërbim siç ishte incinerimi i mbetjeve, që në fakt nuk ishte kryer për shkak se nuk punon impianti i djegies.

Po ndodh...