Zjarri në nënstacionin Ibë, rikthehet energjia elektrike në disa zona OSSH: Po punojmë pa ndërprerje deri në normalizimin e plotë të furnizimit

25 Korrik 2025, 22:35 / AKTUALITET ALFA PRESS

Zjarri në nënstacionin Ibë, rikthehet energjia elektrike në

Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga një mot me temperatura të larta, duke arritur sot nivelin e 40*.

Për këtë arsye, OSSH ka rritur më tej gatishmërinë për të evituar në maksimum problematikat që mund të lindin gjatë operimit në kushte jo normale pune të rrjetit shpërndarës.

Regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve për shkak kushteve atmosferike ka dhënë efekt në rënien e zjarrit tek transformatori i fuqisë 110/10kv të nënstacionit Ibë, Tiranë.

Reagimi i menjëhershëm i brigadave të zjarrëfikëses dhe stafit të drejtorisë së Tensionit të Lartë të OSSH solli shuarjen e shpejtë të zjarrit, duke minimizuar dëmet, ndërsa nuk ka asnjë të dëmtuar nga ana e personelit.

Stakimi i nënstacionit Ibë, ndikoji në ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të zonave Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë dhe Krrabë.
Në një pjesë të këtyre zonave energjia u rikthye brenda një kohë të shpejtë si rrjedhojë e lidhjeve në unazë me fidera të tjere që dalin nga nënstacioni Farkë.

OSSH ka shtuar grupet në objekt për të vepruar me ritme më të shpejta, duke u angazhuar se do të punojnë pa ndërprerje deri në orët e para të mëngjesit, për zgjidhjen e plotë të avarisë.

Ndërkohë, OSSH ka rritur masat e gatishnërisë në rang vendi për shkak të rritjes së temperaturave.
Në disa zona prania e zjarreve ka detyruar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të stakojë energjinë elektrike si masë e nevojshme sigurie.

OSHEE Group kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve për ndërprerjet e energjisë elektrike, të ndikuara nga faktorë natyrorë dhe shprehet se vijon të jetë e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e shpejtë të problematikave me rrjetin e shpërndarjes.

 

 

Po ndodh...