Tudor si Alegri, kundër Monzës fitoi me 17% kontroll të topit

30 Prill 2025, 22:01 / SPORT ALFA PRESS

Tudor si Alegri, kundër Monzës fitoi me 17% kontroll të topit

Nga premtimet për një futboll të ri e deri tek kthimi i stilit të njohur, por shpesh të kontestuar. Juventusi po kalon një periudhë tranzicioni të trazuar, ku idetë e reja kanë dështuar të gjejnë terren të qëndrueshëm dhe zgjedhjet e fundit duket se e kanë rikthyer skuadrën në një lloj “Alegri 2.0”, me një futboll minimalist, të bazuar në mbrojtje, vertikalitet dhe menaxhim të rezultatit.

Nën drejtimin e Igor Tudor, bardhezinjtë po përjetojnë një kthesë të papritur. Trajneri kroat, i ardhur për të mbyllur sezonin në mënyrë dinjitoze pas largimit të Tiago Motës, nuk ka fshehur asnjëherë filozofinë e tij të lojës. Pak fjalë, shumë vertikalitet dhe aspak interes për posedimin e topit. Dhe në ndeshjen kundër Monzës, kjo filozofi është shfaqur në mënyrën më ekstreme, vetëm 17% posedim topi për Juventusin, një shifër që do të trondiste çdo trajner modern.

Edhe pse avancimi i hershëm në rezultat dhe përjashtimi i Jildiz në fundin e pjesës së parë justifikojnë deri diku këtë qasje, nuk mund të mohohet se ky është drejtimi që Tudor i ka dhënë menjëherë skuadrës, futboll i thjeshtë, i drejtpërdrejtë, pa luks taktik. Krahasuar me përpjekjen e mëparshme për një revolucion nën drejtimin e Tiago Motës, një trajner që synonte të “shpikte” një Juventus më të strukturuar, me më shumë posedim dhe ndërtim nga pas, duket se klubi është kthyer me “këmbë në tokë”.

Ajo që u ofrua si revolurim pa thelb, një posedim steril që rrallë çonte në raste konkrete. Projekti Mota nuk arriti të çlirohej nga trashëgimia e Alegrit, ndërsa Tudor po e përqafon pikërisht atë qasje, qoftë edhe për arsye emergjente. Dhe kështu, Juventusi është kapur në një dimension, mes nostalgjisë për pragmatizmin e së kaluarës dhe pamundësisë për të ndërtuar diçka të re. Në këtë realitet të vakët, tifozët dhe analistët nisin të pyesin veten: “A është ky një rikthim tek Alegri me një emër të ri në pankinë?”.

Në të gjitha këto lëkundje identitare, një gjë mbetet e qartë. Sezoni mund të quhet i shpëtuar vetëm nëse Juventus arrin të sigurojë një vend në Champions. E, me dy sfida vendimtare që afrohen, kundër Bolonjës dhe Lacios, gjithçka tjetër kalon në plan të dytë. Stili nuk ka më rëndësi. Rezultati është gjithçka.

 

 

Po ndodh...