SPAK nis hetimin ndaj shefave të policisë për ish-shefin e rrugores, Roven Zeka, në lupë edhe takimet e tij

29 Prill 2025, 12:03 / AKTUALITET ALFA PRESS

SPAK nis hetimin ndaj shefave të policisë për ish-shefin e

Prokuroria e posaçme ka nisur veprimet hetimore duke përfshirë marrjen në pyetje të disa zyrtarëve policor, lidhur me takimet e paautorizuara me të paraburgosurin për korrupsion Roven Zeka.

SPAK ka marrë deklarimet e të paktën 2 shefave të komisariateve në kryeqytet, ndërsa është sekuestruar edhe një pajisje telefonike. Ndërkohë, edhe një biznesmen ka qenë subjekt i hetimit të prokurores Elida Kaçkini.

Organi hetues ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, si dhe ka pyetur personat përgjegjës në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza”, për të hedhur më tepër dritë mbi takimet me të paraburgosurin dhe qëllimin e tyre.

Shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës Roven Zeka bashkë me Sokol Novakun shef i hetimit të aksidenteve dhe oficerin e policisë rrugore Edison Tabaku ranë në pranga disa ditë më parë në kuadër të një hetimit të SPAK, dhe dyshohet se kanë marrë para për manipulimin e provave për një aksident rrugor.