Mbyllet numërimi i diasporës përveç Greqisë, PS në Vlorë mori një deputet nga vota e emigrantëve

16 Maj 2025, 09:01 / POLITIKË ALFA PRESS

Mbyllet numërimi i diasporës përveç Greqisë, PS

Ka përfunduar numërimi i votës së diasporës në shtetet e tjera përveç Greqisë, pas kontestimeve të PD që çdo zarf i ardhur nga shteti helen të ndahet veç.

Në total janë numëruar 145 441 zarfe nga 194 889 dhe mbeten pa numëruar 53 mijë zarfe nga Greqia, fatin e të cilave do ta vendosë sot në 09:00 në një mbledhje kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Nga vota e diasporës, Partia Socialiste ishte e vetmja që arriti të marrë një mandat.

Bëhet fjalë për mandatin në qarkun e Vlorës, që e rriti PS nga 8 mandate që kishte fituar brenda vendit, në 9 mandate dhe PD-ASHM zbriti nga 4 mandate që kishte në vetëm 3.

PS mbetet me 83 mandate në rang vendi, PD me 50 mandate, PSD merr 3 mandate, 2 Partia Mundësia e Agron Shehajt dhe nga 1 mandat Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit dhe Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt.

Edhe në diasporë, Partia Socialiste ka marrë mbështetjen më të madhe me 77 901, ose 54.18% të totalit të votave të numëruara. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) renditet i dyti me 40 510 vota ose 28.17%. Në vend të tretë është Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (NISMA-SHB) me 11 651 vota (8.10%).

Partia Mundësia ka marrë 5 358 vota (3.73%), ndërsa Lëvizja Bashkë ka siguruar 3 848 vota (2.68%). Partia Socialdemokrate (PSD) ka marrë 1,947 vota (1.35%), ndërsa Partia Koalicioni Euroatlantik (KEA) ka grumbulluar 1 058 vota (0.74%).

Votat preferenciale për kandidatët nga diaspora ende nuk kanë nisur të numërohen, por panorama është thuajse e qartë se cilët do të jenë kandidatët e listës së hapur që futen në Kuvend, pasi nuk pritet të ketë ndryshim të madh në votat preferenciale.

Në Tiranë, Partia Mundësia e Agron Shehajt mbrojti mandatin e dytë me disa dhjetëra vota, dhe nuk u rrëzua as nga diaspora duke e lënë PD-në këtë qark, me 13 mandate.

Aktualisht të gjitha votat nga vendi fqinj janë të ndara veçmas, në kuti të ndryshme për të 12 qarqet.

Shkak për këtë ndarje u bë një kërkesë e Partisë Demokratike që kur kutia e parë u hap, me argumentin e manipulimeve, kërkesë që u pranua nga kryekomisioneri Celibashi.

Çdo zarf i Greqisë u kontestua dhe u veçua. Vendimi i Celibashit u rrëzua nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, vendimmarrja e të cilit u dërgua në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Demokratike.