Sekretari i shtetit amerikan, Rubio i bën thirrje Indisë dhe Pakistanit të ulin tensionet pas sulmit në Kashmir

30 Prill 2025, 22:21 / BOTA ALFA PRESS

Sekretari i shtetit amerikan, Rubio i bën thirrje Indisë dhe

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka komunikuar me homologun e tij indian, Jaishankar, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit. Rubio ka inkurajuar Indinë që të bashkëpunojë me Pakistanin për të ulur tensionet dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Azinë Jugore.

Gjithashtu, Rubio u ka bërë thirrje zyrtarëve pakistanezë të bashkëpunojnë në hetimin e sulmit të pamëshirshëm në Kashmir. Në një telefonatë me kryeministrin pakistanez, Rubio e nxiti Pakistanin të bashkëpunojë me Indinë për të ulur tensionet dhe për të rivendosur komunikimin, sipas Departamentit të Shtetit.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, pranoi një telefonatë nga Rubio, sipas një deklarate të zyrës së tij të mërkurën, transmetuar nga agjencia Reuters. Sharif i kërkoi Rubio-s të ushtrojë presion mbi Nju Delhin që të mbajë një “qëndrim të përgjegjshëm” dhe të ndihmojë në uljen e tensioneve.

Më herët, Departamenti i Shtetit kishte deklaruar se Rubio pritej të komunikonte me homologët e tij nga India dhe Pakistani, duke i nxitur ata “të mos përshkallëzojnë situatën”.

Pakistani përsëriti sot se konsideron si të afërt një sulm nga India, i cili mund të ndodhë brenda dy ditëve të ardhshme. “Pakistani nuk do të godasë i pari, por nuk do të hezitojë të përgjigjet”, paralajmëroi ministri i Jashtëm, Ishaq Dar, pasi kryeministri indian Narendra Modi thuhet se i ka dhënë ushtrisë një “çek të bardhë” për të organizuar reagimin e saj.

India mbyll hapësirën ajrore për avionët pakistanezë

India ka mbyllur hapësirën ajrore për kompanitë ajrore dhe Forcën Ajrore të Pakistanit, vetëm disa ditë pasi Pakistani bëri të njëjtën gjë ndaj kompanive ajrore indiane, mes tensioneve në rritje mes dy vendeve për shkak të sulmit vdekjeprurës ndaj turistëve në Kashmir.

Hapësira ajrore e Indisë do të mbetet e mbyllur nga data 30 prill deri më 23 maj, njoftoi qeveria.