12 futbollistë nën hetim për baste të paligjshme, zbulohen nga celularët e Tonalit dhe Fagiolit

12 Prill 2025, 10:08 / SPORT ALFA PRESS

12 futbollistë nën hetim për baste të paligjshme, zbulohen

Skandali i basteve ilegale trondit sërish futbollin italian. Pas dënimeve dhe rikthimeve në fushë të Sandro Tonalit (sot te Newcastle) dhe Nicolò Fagiolit (aktualisht te Fiorentina), të dënuar në vitin 2023 për përfshirje në skema bastesh të paligjshme, hetimet kanë nxjerrë në pah një tjetër kapitull të errët.

Sipas asaj që raporton gazetari Luigi Ferrarella në “Corriere della Sera”, falë celularëve të sekuestruar nga “Guardia di Finanza” në tetor 2023, janë identifikuar rreth 12 lojtarë të tjerë të Serie A të përfshirë në bastvënie, në faqe ilegale, mes viteve 2021 dhe 2023. Prokuroria e Milanos ka sekuestruar 1.5 milionë euro dhe ka paraqitur pesë kërkesa për arrest shtëpiak, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë provë për trukim ndeshjesh futbolli. Shumica e basteve lidhen me sporte të tjera.

Nga pikëpamja penale, rreziku për lojtarët është minimal: vepra është kundërvajtje që mund të zgjidhet me gjobë, që në këtë rast arrin 250 euro. Sidoqoftë, dëmet më të mëdha mund të vijnë në nivelin disiplinor, pasi Prokuroria Federale e FIGC mund të ndërhyjë, duke kërkuar aktet hetimore dhe të nisë një proces sportiv ndaj të përfshirëve.

Në qendër të hetimeve janë dy menaxherë të faqeve të basteve ilegale, Tommaso De Giacomo dhe Patrick Fizzera, të cilët, sipas akuzave, kanë përdorur një argjendari në Milano si mënyrë të rafinuar për të rregulluar llogaritë në mënyrë të fshehtë. Tre administratorët e saj, Antonio Scinocca, Antonio Parise dhe Andrea Piccini, luanin rolin e ndërmjetësve.

Lojtarëve fillimisht iu jepej kredi nga organizatorët, por më pas udhëzoheshin t’i shlyenin borxhet nëpërmjet blerjes fiktive të orëve “Rolex”, duke bërë pagesa të gjurmueshme që në dukje justifikoheshin me blerje luksi. Orët nuk dilnin kurrë nga dyqani, sportistët largoheshin vetëm me faturën përkatëse.

Sipas hetuesve, deklarimet e Tonalit kanë qenë më të sinqerta se ato të Fagiolit. Ky i fundit ka mohuar që të ketë ftuar shokë apo të ketë përfituar bonuse nga sistemi i basteve, por këto deklarata bien ndesh me të dhënat e nxjerra nga telefonat e konfiskuar.

Ja cilët janë 12 futbollistët e përmendur nga “Corriere della Sera”:

Alessandro Florenzi – mbrojtës i Milanit, pjesë e Italisë kampione Europe më 2021

Nicolò Zaniolo – ish-lojtar i Romës, sot te Fiorentina

Mattia Perin – portier i Juventusit

Weston McKennie – mesfushori amerikan i Juventusit

Leandro Paredes – kampion bote me Argjentinën, sot lojtar i Romës

Ángel Di María – gjithashtu kampion bote me Argjentinën

Raoul Bellanova – mbrojtës i kombëtares dhe i Atalantës, me të kaluar tek Interi dhe Torino

Samuele Ricci – mesfushor i Torinos, në atë kohë tek Empoli

Cristian Buonaiuto – sulmues i Padova, në atë kohë te Cremonese

Matteo Cancellieri – sot te Parma, atëherë mes Lazios dhe Empolit

Junior Firpo – mbrojtësi domenikan i Leeds United

Matteo Gigante – tenist italian në ngjitje

Në listë figurojnë gjithashtu edhe rreth dhjetë persona të tjerë jo sportistë. Hetimet janë në zhvillim, por goditja e re në futbollin italian duket se sapo ka nisur.

 

Po ndodh...