Sot vendoset finalisti i parë i Championsit/ Inter dhe Barcelona luajnë gjithçka për gjithçka

6 Maj 2025, 08:58 / SPORT ALFA PRESS

Sot vendoset finalisti i parë i Championsit/ Inter dhe Barcelona

Pas barazimit spektakolar 3-3 në ndeshjen e parë në Katalunjë, Interi dhe Barcelona do të zbresin sërish në fushë sonte, në orën 21:00, në “San Siro”, për gjysmëfinalen e kthimit të Champions League.

Në lojë është një vend për finalen e madhe të 31 majit që do të luhet në Mynih.

Simone Inzaghi kërkon finalen e dytë në tri edicionet e fundit dhe do të tentojë të marrë hak për humbjen në Stamboll në 2023 kundër Manchester City-t.

Rikuperimi i Lautaro Martinez dhe forma e mirë e Thuram-it japin shpresë për zikaltrit.

Nga ana tjetër, Hansi Flick ëndërron ‘Tripletën’, një sukses që Barcelona nuk e ka shijuar prej dhjetë vitesh.

Kjo ndeshje vlen sa një sezon i tërë. Interi është ende në garë për titullin në Serisë A, ndonëse me tri pikë më pak se Napoli tri javë para fundit, dhe ka dalë nga Kupa e Italisë.

Kështu që Champions League është objektivi madhor për klubin milanez, që mbështetet fort në efektin "San Siro" dhe në pikat e dobëta që shfaqi Barça në sfidën e parë, veçanërisht në mbrojtje dhe te goditjet standarde.

Megjithatë, mbrojtja do të përballet me sulmin eksploziv të katalanasve, ku Yamal është rreziku kryesor.

Te Barcelona, Flick synon ‘Tripletën’ e dytë në karrierë pas asaj me Bayernin në 2020.

Me Superkupën e Spanjës dhe Kupën e Mbretit tashmë në xhep, katalanasit janë gjithashtu +4 ndaj Real Madridit në kampionat, me El Clasico-n që ende nuk është luajtur.

Një tjetër finale në Gjermani, një tjetër ‘Tripletë’ në horizont? Shpresa e tifozëve ‘blaugrana’ është që treshja Yamal–Raphinha–Ferran Torres të ndjekë gjurmët e legjendarëve Messi, Neymar dhe Suarez nga viti 2015.

Për këtë përballje të zjarrtë, të dy trajnerët kanë ruajtur titullarët në ndeshjet kundër Veronës dhe Valladolid-it.

Interi rikuperon në momentet e fundit kapitenin Lautaro Martinez, ndërsa Pavard është i dëmtuar dhe zëvendësohet nga Bisseck.

Te Barcelona, mbeten jashtë Lewandowski, Baldé dhe portieri ter Stegen, me Szczesny-n që do të mbrojë portën sërish. Në mbrojtje, Flick ka dy alternativa: Martinez-Cubarsí me Eric Garcia në të majtë ose Araujo në qendër dhe spostimin e Inigo Martinez në krah.

Gjithçka është gati për një mbrëmje që pritet të jetë e zjarrtë, dramatike dhe vendimtare. Inter apo Barcelona? Finalja i pret në Mynih.

 

Po ndodh...